Shkalla e infektimeve me virusin e ngjashëm me gripin, metapneumovirus (HMPV), është duke shënuar rënie në veri të Kinës, thanë zyrtarët shëndetësorë të dielën.
HMPV-ja, e cila i përket të njëjtës familje si virusi sincicial respirator, shkakton simptoma të ngjashme me gripin ose ftohjen, përfshirë ethe, kollë dhe kongjestion nazal.
Simptomat shpesh zhduken vetë, megjithëse ato mund të shkaktojnë infeksione të traktit të poshtëm respirator te fëmijët, tek të moshuarit dhe te ata me imunitet të kompromentuar.
“Metapneumovirusi njerëzor nuk është virus i ri, sepse ka qenë i pranishëm te njerëzit për të paktën disa dekada”, tha Wang Liping, hulumtuese në Qendrën Kineze për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, gjatë një konference për shtyp nga Komisioni Kombëtar i Shëndetësisë së Kinës.
Shqetësime u rritën ditët e fundit lidhur me rritjen e infeksioneve me HMPV në Kinën veriore, pasi u shpërndanë pamje në internet që treguan spitale të mbushura me pacientë me maska. Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se nuk është njoftuar për shpërthime të pazakonta të infeksioneve në Kinë apo diku tjetër.
Javën e kaluar, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës njoftoi të hënën qytetarët e vendit me informacione thelbësore lidhur me këtë, me qëllim rritjen e masave të kujdesit parandalues.
Ekspertët thonë se HMPV-ja nuk është si COVID-19, pasi ka qenë i pranishëm për dekada dhe ekziston një imunitet i ndërtuar kundër tij. Shumica e fëmijëve infektohen me këtë virusin deri në moshën 5-vjeçare.
Wang tha se sëmundjet respiratore që po i prekin njerëzit në këtë kohë në Kinë, shkaktohen nga patogjenë të njohur dhe nuk janë shfaqur sëmundje të reja infektive.
Numri i pacientëve në klinika dhe reparte të emergjencës në mbarë vendin është në rritje, por përgjithësisht më i ulët krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, tha Gao Xinqiang, zëvendësdrejtor i Departamentit të Reagimit të Urgjencës Mjekësore të komisionit të shëndetësisë.
LEXONI GJITHASHTU:
- Frika nga virusi HPMV, Ulqinaku: S’ka vend për panik, ka qarkulluar në Shqipëri
- Ministri i Financave i Britanisë së Madhe viziton Kinën për të rritur bashkëpunimin