Agjencia “Standard & Poor’s”, ndër tre kompanitë më të njohura në botë për vlerësimin e kredive të shteteve dhe të kompanive të mëdha, pohon notën “B+” për Shqipërinë dhe parashikim të qëndrueshëm për të ardhmen tonë afatmesme.
Vlerësimi B+ bazohet në pritshmëritë e kompanisë për një rritje të qëndrueshme të ekonomisë shqiptare gjatë periudhës 2020-2022, për një deficit nën kontroll dhe ulje të borxhit publik.
Agjencia vlerëson se në vitin 2019 deficiti buxhetor ishte në përputhje të plotë me parashikimin, pavarësisht se u godit nga tërmeti në tremujorin e fundit.
Edhe zgjerimi i lehtë i deficitit në 2019 krahasuar me atë të vitit 2018, reflekton kryesisht pagesat e bëra për rimbursimin e TVSH.
Agjencia pret një rritje të përkohshme të deficitit në vitin 2020 duke qenë se qeveria do të punojë intensivisht për ri-ndërtimin pas tërmetit, si dhe do të vijojë pagesat e detyrimeve të prapambetura.
Në raportin e tij, S&P thekson kryerjen e reformave strukturore për përmirësimin e mjedisit të biznesit dhe tërheqjen e më shumë investimeve të huaja.