Figura e mësuesit është lakuar në shoqëri si prindi i dytë i një nxënësi. Pas vitit 1990 e në vazhdim kjo marrëdhënie ka pësuar ndryshime. Në jo pak raste autoriteti i mësuesve ra dhe duke qenë nxënësit ata që i treguan kufijtë e komunikimit. Sot duket se po bëhen përpjekje për të hyrë në një fazë të re të procesit më mësimdhënies dhe mësimnxënies e kjo ka ndërtuar edhe ura të ndryshme komunikimi mes mësuesit e nxënësit.
Mësuesja e Gjimnazit “Partizani” në Tiranë, Aurela Kotemelo tregon për “Euronews Albania” se si kanë ndryshuar ndër vite raportet mes mësuesve dhe nxënësve. Ajo thotë se kjo marrëdhënia sot është më e butë.
“Marrëdhëniet mësues-nxënës janë më të buta, po flasim gjithmonë brenda kontekstit , rregullave dhe ligjeve, por jemi të paktën në momente më njerëzore dhe rregullat janë zbutur. Nuk është më shiko do e bëjmë siç them unë por a do ta bëjmë bashkë. Kemi një dëshirë për të realizuar të gjithë bashkë dhe ata mendoj se ata janë afruar më tepër” tha ajo.
Mësuese Aurela ka mësuar dhe edukuar shumë breza, kur e kthen kokën pas sheh se marrëdhënia me nxënësit ishte më e ftohtë dhe e prerë. Çdo vit është një sfidë e re për të, në fund ajo thotë se ja ka arritur qëllimit të saj.
“Marrëdhënia e mësuesit me nxënësin në atë kohë ka qenë më komplekse në atë kohë me mësuesin më komplekse, ishim më të trembur sepse ekzistoni shumë ligji, më tepër sesa sot. Ishte më e ftohtë atmosfera mësues-nxënës”, theksoi ai.
Luhatjet e kësaj marrëdhënieje ndër vite sot duken më të stabilizura. Edhe agresiviteti i shfaqur në vitet e mëparshme ndaj mësuesve është shuar me kalimin e kohës dhe ky brez i ri i nxënësve nuk i përkasin atyre që nuk dinë të respektojnë, përkundrazi.
“Jo nuk do e pranoja. Modeli i sjelljes së tyre së pari jemi ne. Në qoftë se unë jam e qetë, brenda rregullave, i respektoj nuk i paragjykoj, të njëjtën përgjigje do marrë. Me mua vijnë, të paktën klasa në kujdestari është shumë afër në këtë pjesë dhe unë jam munduar ta bëjë këtë”, u shpreh ajo.