Rastet me grip po rriten me ritme të shpejta. Mjekët e familjes pohojnë se pacientët e tyre janë të shumtë.
“Ky numër vizitash është në rritje. Kryesisht një pjesë e pacinetëve paraqiten me temperatura të lartë, rezistente 4-5 ditë, dhimbje fyti, teshtima, kollë ngacmuese, të gjitha këto të shoqëruara me fenomene spastike. Vëmë re dhe një pjesë tjetër pacientësh me simptoma më të lehta por me kollë më të fortë dhe dhimbje të muskujve”, tha Xhentiljana Nazaj, mjeke familje.
Shumica e rasteve të infektuara janë fëmijë dhe mosha e mesme. Mjekët kërkojnë të bëhet kujdes sepse gripi mund të çojë deri në fatalitet.
“Nëse neglizhohen simptomat dhe nuk u jepet rëndësia në kohën e duhur patjetër që mund të përbëjë rrezik”, shtoi mjekja.
Një tjetër apel i mjekëve është të bëhet kujdes me përdorimin e barnave qetësues për situatat gripale që merren pa recetën e mjekut.
“Mund të përdoren paketat antigrip të cilat qetësojnë simptomat e para të virozës por marrja e tyre mund të shkojë deri në 4-5 ditët e para sepse pastaj fillojnë simptomat tjera, pra ecuria natyrale e virozave dhe pastaj pacienti paraqitet tek mjeku, që nëse është e nevojshme merret dhe antibiotikë”, theksoi mjekja Nazaj.
Një situatë gripale kalon brenda një jave, por shpesh lë pas kollën. Ndërkohë mjekja rekomandon të bëhet kujdes me higjienën, shmangien e grumbullimeve dhe vaksinimin për të parandaluar infektimin.
LEXONI GJITHASHTU:
- Rriten rastet me grip, rreth 13.000 persona janë paraqitur te mjeku gjatë një jave
- Ulen rastet me grip, mjekët: Simptomat mund të zgjasin nëse nuk mbahet regjim