Vendimi i Kryeministrit kosovar, Albin Kurti për taksën ndaj Serbisë ka shkaktuar debate dhe reagime të ndryshme. Zyra e përfaqësuesit të lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri e Bashkimit Evropian, Josep Borell, vlerëson se ky hap mund të jetë pozitiv në rivendosjen e tregtisë rajonale dhe mund t’i hapë rrugë rifillimit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Ndërkohë i dërguar i posaçëm i SHBA-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, ambasadori Richard Grenell ka deklaruar se nuk i mbështet masat gjysmake të Kryeministrit Kurti për taksën. Ai ka deklaruar se shefi qeverisë së Kosovës, Kurti është duke bërë një gabim serioz.
“Ne nuk i mbështesim masat gjysmake të kryeministrit Kurti. Pozicioni ynë është mjaft I qartë: tarifat duhet të hiqen plotësisht. Z. Kurti është duke bërë një gabim serioz, dhe kjo iu bë e qartë Presidentit Thaçi sot në Shtëpinë e Bardhë”, shkruan Grenell.
Kjo çështje ka shkaktuar debate mes palëve politike në Kosovë. Analisti dhe gazetari Berat Buzhala ka folur për Euronews Albania, ku shpjegoi zhvillimet politike dhe strategjinë që sipas tij, duhet të ndjekë Kosova. Ai tha se do të ishte një gabim i madh për Kosovën nëse kjo e fundit nuk vepron sipas porosive të SHBA në lidhje me heqjen tarifave ndaj mallrave serbe.
“Është një vendim pothuajse i mirë, gati i mirë. Ju përmendët që kemi përkrahjen e BE, por nuk kemi përkrahjen e ShBA. Mirëpo, nëse Kurti i bindet kërkesave të Grenell, atëherë do të kishim mbështetjen dhe përkrahjen e SHBA. Kosova është në një udhëkryq. Në njërën anë kemi SHBA që kanë nisur një proces të dialogut, nga ana tjetër kemi BE, të cilët deri më sot nuk kanë zgjidhur asnjë çështje mes Kosovës dhe Serbisë sa i takon dialogut. Kosova është vend i vogël, shtet i vogël, që të pozicionohet në drejtim të BE duke i injoruar SHBA. Zoti Kurti dje me fjalë të tjera e ka hequr taksën duke i vendosur disa kushte që nuk janë fondamentalisht të rëndësishme, prandaj do të ishte gabimi i rëndë që sot zoti Kurti në mbledhjen e qeverisë të mos i heqë pa ekuivoke tarifat ndaj mallrave serbe, duke mos vënë kushte të tjera në mënyrë që të kishim SHBA dhe BE në një fjalë dhe të dakorduara në qëndrime”-tha ai.
Analisti tha se nëse Kosova nuk pranon të heqë taksën ndaj Serbisë, masat e SHBA kundër saj pritet të jenë dramatike. Sipas analistit Buzhala, Kosova dhe Kryeministri Albin Kurti duhet të veprojnë sipas linjës amerikane.
“Masat që SHBA do t’i ndërmarrin kundër Kosovës nëse nuk pranon të heqë taksën në mënyrë të plotë do të jenë dramatike. Pra, Kosova nuk është në pozicion të kalkulojë një mbështetje të BE duke injoruar SHBA”,-shtoi ai.