Oerd Bylykbashi, i mandatuari i Partisë Demokratike, për të ndjekur në Këshillin Politik, reformën zgjedhore, duke folur për Euronews Albania, deklaron se marrëveshja e arritur javën e shkuar mes PD dhe PS përbën vetëm hapin e parë të reformës zgjedhore. I ftuar në Ilva Now, z. Bylykbashi tha se, kompromisi ka të bëjë me procesin sesi do të realizohet reforma.
“Ai kompromis i para pak ditësh që u bë është mbi procesin, nuk është mbi substancën dhe përmbajtjen. Ka një lloj rutine, para çdo procesi të reformës zgjedhore ka pasur një marrëveshje të këtij lloji”, u shpreh ish-deputeti i PD-së.
Sa i përket ndryshimit të ligjit të zgjedhjeve, z. Bylykbashi vuri theksin te problemi i shit-blerjes së votës, ku PD ka gati propozime konkrete për këtë çështje dhe aspekte të tjera të rëndësishme.
“Kemi gati propozime konkrete, në lidhje me çështje të rëndësishme ku përfshihet dhe financimi i partive politike apo listat e zgjedhësve. Do të ketë një paketë sa më të gjerë masash kundër shit-blerjes së votës, pasi na del si problemi kryesor”, tha më tej z. Bylykbashi.
Sa i takon shit-blerjes së votës në zgjedhjet e fundit parlamentare dhe lokale, ish-deputeti i PD u shpreh se nga prokuroria nuk ka pasur asnjë hetim të përfunduar. Për zgjedhjet e ardhshme, ai tha se mund kërkohet krijimi i një Task-Force të posaçme nga ana e organit të akuzës.
Z. Bylykbashi kujtoi historikun e vjetër të ndërhyrjes së Kryeministrit, Edi Rama për manipulimin e rezultatit të zgjedhjeve, duke iu referuar procesit të zgjedhjeve lokale në vitin 2003 për Bashkinë e Tiranës. kur Rama garonte përballë Spartak Ngjelës.
“Kemi një kryeministër që raportin me zgjedhjet e ka të keq. Në vitin 2003, u shkatërruan 1/3 e kutive në Tiranë, 120 kuti. Për këtë arsye u përsërit votimi në zona ku votohej kundër Ramës”, deklaroi ai.
Sa i takon mundësisë për arritjen e një marrëveshjeje për futjen e votimit dhe numërimit elektronik në zgjedhjet e ardhshme, z. Bylykbashi theksoi se, është menduar dhe zgjidhja për të parandaluar ndërhyrjen në sistemin elektronik që mund të çojë në manipulimin e rezultatit.
“Nuk kemi ende një marrëveshje për votimin dhe numërimin elektronik, por mund të them që ishim në hapa dakordësie, por vonesat e çuan këtë çështje jashtë piste. Që në dhjetor 2018, u ngrit një grup pune që pasi u mblodh njëherë nuk u mblodh më. E kemi marrë parasysh dhe faktin që mund të ketë ndërhyrje dhe hakërim në sistemin elektronik dhe për këtë arsye votimi elektronik do të jetë i lidhur vetëm në qendrën e votimit, në mënyrë që të mos ketë ndërhyrje”, tha Bylykbashi.