Pak çaste pasi opozita e bashkuar mandatoi Oerd Bylykbashin dhe Petrit Vasilin për të gjetur gjuhën e përbashkët me palën tjetër për reformën zgjedhore, tryeza mes subjekteve politike ka nisur pa humbur kohë.
Kjo tryezë po mbahet aktualisht në ambientet e Pallatit të Kongreseve “në kuadër të dialogut për garantimin e një konsensusi sa më të gjerë në procesin e Reformës Zgjedhore”.
Të pranishëm në takim janë dy bashkëkryetarët e Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri e Rudina Hajdari si dhe përfaqësuesit e opozitës së bashkuar.
Palët politike kanë shkëmbyer akuza të ndërsjella mes tyre, ku PD-ja theksonte më parë se nuk mund të ulej në tryezë me Damian Gjiknurin, pasi sipas saj, ai duhet të ishte nën hetim për përgjimet e publikuara nga gazeta gjermane ‘Bild’ për zgjedhjet lokale në Dibër.
Gjithsesi sot këto pretendime duket që kanë rënë dhe opozita e bashkuar ka pranuar të ulet në tryezën për Reformën Zgjedhore. Përfaqësuesit e opozitës së bashkuar shprehen se miratimi i Reformës Zgjedhore duhet të bëhet në mënyrë transparente, gjithëpërfshirëse dhe në thelb të saj të ketë konsensusin e gjerë mes palëve politike.
“EuronewsAlbania” ka zbuluar detaje mbi konkluzionet e tryezës për Reformën Zgjedhore. Sipas dokumentit të mëposhtëm, palët politike duhet që Reformën Zgjedhore ta përfundojnë jo më vonë se 15 marsi i vitit 2020.
Projekti përfundimtar i dakordësuar në mënyrë të plotë nga të gjitha palët politike pritet të kalojë më pas për miratim përfundimtar në Kuvendin e Shqipërisë. Kjo lëvizje e sotme duket se do të lë mënjanë ndasitë mes palëve dhe në vend të saj do të “mbjellë” komunikimin aktiv dhe atë institucional.
Kërkesat që parashtroi fillimisht opozita e bashkuar:
- Miratim i Reformës Zgjedhore në mënyrë transparente, gjithëpërfshirëse, konsensuale mes partive politike.
- Hartimi dhe diskutimi i reformës jashtë parlamentit në tryezën politike të partive.
- Miratimi pa ndryshime nga Komisioni dhe Parlamenti i produktit konsensual të tryezës politike.