Partia Demokratike në draftin e paraqitur për reformën zgjedhore, kërkon identifikim dhe votim elektronik. Bëhet fjalë për Electronic Poll Book dhe Electronic Voting Machine, të cilat PD i shikon si alternativë për shmangien e deformimit të vullnetit të sovranit. Në draftin e paraqitur nga PD, thuhet se, këto dy sisteme nuk do të jenë të lidhura me njëra-tjetrën, në mënyrë që të bëhet i pamundur identifikimi i votës si dhe ndërhyrjet në sistem.
Sistemi EPB, garanton verifikimin e të dhënave të zgjedhësve bazuar në të dhënat biometrike të sistemit të letërnjoftimeve elektronike si dhe listës së zgjedhësve e cila gjenerohet nga regjistri kombëtar i gjendjes civile
“Me qëllim identifikimin e sigurtë të votuesve në qendrën e votimit, verifikimin dhe parandalimin e votimit të shumfishtë në të njëjtën qendër votimi ose në qendra të ndryshme ndërtohet sistemi elektronik i identifikimit në vijim EPB (Electronic Poll Book), i cili identifikon zgjedhësin në qendrën e votimit nëpërmjet dokumentit të identitetit dhe të dhënave biometrike, përfshirë shenjën e gishtërinjve”, thuhet në propozimin e PD.
Nëpërmjet leximit të gjurmëve të gishtërinjve te votuesit nga ky sistem zëvendësohet dhe procesi i firmosjes nga votuesit ne listat e votimit dhe është provë e identifikimit të votuesit.
Gjithashtu, sipas propozimit të PD, pajisja elektronike e identifikimit EPB mund të mundësojë dhe votimin pa dokument identifikimi meqenëse i ka tashmë në memorie te dhënat e zgjedhësve, duke i mundësuar që komisioni te kërkojë zgjedhësin në listë duke i futur te dhënat manualisht. Pajisja mund të jete e pajisur me kamera që mundëson dhe foton e zgjedhësit që po identifikohet.
Kurse, sistemi i votimit elektronik (Electronic Voting Machine) do të mundësojë votimin elektronik me vjedhje nga një ekran elektronik. Pas votimit elektronik, pajisja do të printojë dhe një kupon që do të ruhet në kuti.
“Me qëllim shmangien e shit-blerjes së votës, intimidimin e zgjedhësit vota e printuar nuk mund të merret fizikisht nga zgjedhësi. Votuesit dhe komisioni nuk duhet te kenë akses ne pajisje dhe as ne kutinë e ruajtje se kuponave dhe çdo veprim për printimin, prerjen dhe hedhja e kuponëve te votimit do të kryhet automatikisht nga EVM”, theksohet në draftin e PD.
EVM do të eliminojë votat e pavlefshme duke parandaluar qe një votues te votoje për më shumë se një përzgjedhje si dhe në mbyllje të procesit, do të përllogarisë rezultatin përfundimtar të votimit.
“EVM do te printoje procesverbalin e rezultatit përfundimtar te QV-se ne aq kopje sa parashikohet ne ligj, për tu firmosur nga komisionerët e QV-se. EVM do te firmose elektronikisht dhe do te transmetojë te enkriptuar rezultatin ne sistemin qendror pranë KQZ-se. Mbas përmbylljes se procesit pajisjet do te paketohen me kode sigurie dhe do te dërgohen ne qendrat e administrimit zgjedhor. Votat për një numër te caktuar qendrash votimi mund te numërohen ne letër për te verifikuar sistemin”, parashikohet në propozim.