Me dhjetëra refugjatë kanë mbërritur në kufirin që Turqia ndan me BE-në, pas lajmit se Ankaraja nuk ka ndërmend ta pengojë kalimin e tyre.
Zyrtarë të policisë në zonën e Evrosit kanë thënë për Euroneës se refugjatët janë mbledhur në kufi e kanë nisur të thërrasin: “Hapni kufijtë”.
Gazetari grek, Savas Karmaniolas, filmoi dy gomone plot me refugjatë që po përpiqeshin të zbrisnin në ishullin e Lesbosit.
Veç Greqisë, edhe Bullgaria pret një valë emigrantësh në kufijtë e tyre, ndaj ka shtuar praninë e trupave kufitare me urgjencë.
Turqia e mori këtë vendim pasi forcat e tyre në Siri u sulmuan nga ushtria e Asadit, me mbështetje të Rusisë, duke shkaktuar vdekjen e 33 ushtarëve turq.
Menjëherë pas sulmit, Turqia kërkoi një mbledhje urgjente të NATO-s.
Ndërsa zëdhënësi i partisë së presidentit Turk, Erdogan, tha se Turqia nuk e ka më mundësinë që t’i ndalojë emigrantët.
Përplasjet e fundit midis rebelëve sirianë, të mbështetur nga Turqia, kundër qeverisë së Asadit, të mbështetur nga Rusia, kanë krijuar një valë të re emigrantësh që duan t’i shpëtojnë dhunës në Idlib, ku po zhvillohen përplasjet.
Turqia ka tashmë rreth 3.6 milionë refugjatë sirianë në territorin e saj, të cilët nuk i ka lejuar ta vazhdojnë rrugë në Europë për shkak të një marrëveshjeje që kanë me BE-në që nga viti 2016.
Në këmbim të përballimit të emigrantëve, BE-ja ofron fonde që Turqia t’i mbajë në vendin e tyre. Por duket se Turqia nuk ka ndërmend ta vazhdojë.
Pas deklaratës së Turqisë, me qindra emigrantë nisën të marshojnë sot drejt kufirit me BE-në, dhe një pjesë e tyre kanë arritur tashmë në kufirin me Greqinë, e cila i ka dyfishuar patrullimet.
BE, ndërkohë, i ka bërë thirrje Turqisë që t’i qëndrojë angazhimit dhe të vazhdojë ta pengojë futjen e tyre në Europë, ndërkohë që Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s ka njoftuar mbajtjen e mbledhjes urgjente që ka kërkuar Turqia.