Edhe mëngjesin e kësaj të hënë vijon të jetë e tensionuar situata në kufijtë e Greqisë ku refugjatët sirianë përpiqen të largohen për të mbërritur në vendet e Bashkimit Evropian. Në vetëm 24 orë më shumë se 1000 emigrantë kanë mbërritur nga Turqia në ishujt grekë.
Policia sërish ka përdorur gazlotsjellës për të zmbrapsur emigrantët që qëndrojnë në kufi. Të dëshpëruar emigrantët qëndrojnë aty me shpresën se do të kalojnë.
“Policia greke më hodhi poshtë mbrëmë dhe më morën telefonin, paratë dhe nuk e di se ku mund të shkoj. Nuk kam para, telefon, për të njoftuar familjen time se jam këtu në Turqi”, tha një emigrant nga Afganistani.
“Na premtuan dhe na dhanë shpresë se kufijtë ishin të hapur për ata që duan të shkojnë. Kufijtë me Greqinë janë të gjata, kështu që ne menduam shumë, një mijë, dy mijë njerëz do të kalonin. Ne menduam se do të ishte si lëvizja migruese e vitit 2015. Jeta këtu është e vështirë, kemi familje dhe njerëz të sëmurë, kemi dashur të kërkojmë një të ardhme më të mirë për fëmijët, të marrim frymë lirisht”, u shpreh një emigrant nga Siria.
Athina është e vendosur të mos lejojë kalimin e refugjatëve dhe se do të kthejë mbrapsht ata që përpiqen të kalojnë ilegalisht. Në kulmin e tensioneve dhe situatës në Siri bëhet me dije se presidenti turk Erdogan këtë të enjte do të udhëtojë drejt Rusisë ku pritet të takohet me homologun Vladimir Putin.
Dy shtetet qëndrojnë në krahë të kundërt në luftën në Siri. Ankaraja nga njëra anë mbështet forcat rebele ndërsa Moska është përkrah qeverisë së presidentit Bashar al Assad. Në një deklaratë të fundit shefi i Kremlinit është shprehur se Rusia nuk ka në plan të jetë në luftë me asnjë , por dëshiron të shkëpus vendet e tjera nga përfshirja në konflikt me Moskën.