English

Refugjatët organizohen me varka gome, vazhdon marshimi drejt BE-së pas heqjes së pengesave nga Turqia

KOMENTE

SHPERNDAJE
ARTIKULLIN

Text sizeAa Aa

Me mijëra emigrantë po u afrohen kufijve të BE-së, dhe disa prej tyre janë pajisur edhe me varka gome për të kaluar lumenjtë.

- Advertisement -

Kamerat e gazetarëve kanë filmuar me dhjetëra refugjatë që ngjeshen njëherësh në varkat e vogla, me të cilat lumi kalohet për 5 deri në 6 minuta.

Megjithatë, ujërat e rrëmbyeshëm e të ftohtë e bëjnë këtë lëvizje tepër të rrezikshme.

Turqia vendosi papritur që të mos i pengojë më emigrantët të kalojnë për në Europë.

Vendimi erdhi pasi forcat siriane të Asadit vranë 33 ushtarë turq në zonën veriperëndimore të vendit, në Idlib.

Forcat e ushtrisë siriane, të mbështetura nga Rusia, janë në luftë me rebelët e vendosur në zonën e Idlibit, të mbështetur nga Turqia.

Menjëherë pas ngjarjes, presidenti rus, Vladimir Putin, foli në telefon me presidentin Erdogan dhe tha se Rusia do të bëjë çdo gjë për të garantuar sigurinë e ushtarëve turq, për të shmangur tragjedi të tjera në të ardhmen.

Erdogani, nga ana e tij, tha se i ka komunikuar Rusisë që të bëjë mënjanë e ta lërë Turqinë të zgjidhë situatën me regjimin e Asadit në Iran.

Konflikti ka nisur të krijojë emigrantë të tjerë, sirianë që përpiqen të largohen nga vendi për shkak të luftimeve.

Në Turqi ndodhen tashmë 3.6 milionë emigrantë sirianë, të vendosur nëpër kampe.

Ata po mbahen në vend si pjesë e një marrëveshjeje që Turqia e ka firmosur në vitin 2016 me vendet e BE-së.

Me këtë marrëveshje, Turqia premton që t’u presë rrugën emigrantëve sirianë që duan të kërkojnë azil në BE, në këmbim të fondeve që do t’i shërbejnë Turqisë për t’i mbajtur në vendin e tyre.

Por menjëherë pas vrasjes së 33 ushtarëve, Turqia vendosi se nuk e kanë më aftësinë që t’ua pengojnë rrugën emigrantëve të nisur për në BE.

Pas kësaj deklarate, me qindra refugjatë nisën të marshojnë drejt kufijve të Bullgarisë dhe Greqisë.

Të dy vendet ballkanase dyfishuan menjëherë patrullat në kufi, e madje Greqia përdori edhe gaz lotsjellës për t’i larguar emigrantët nga kufiri.

BE, në anën tjetër, i ka bërë thirrje Turqisë që të respektojë marrëveshjen e të mos i lejojë emigrantët të vazhdojnë rrugëtimin.

Ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, thirri menjëherë një mbledhje urgjente të vendeve anëtare të aleancës, të kërkuar nga Turqia.

Ndërkohë, BE po përgatitet për një tjetër valë emigrantësh nga Afrika e Veriut, e cila mund të përsërisë krizën e disa viteve më parë.

Etiketimet

TË FUNDIT

Sondazh

Vetëvendosje del forcë e parë në Kosovë, por nuk siguron shumicën! A mendoni se Kurti do ta formojë dot qeverinë e re?