Rektori i Universitetit të Mjekësisë, Arben Gjata, ka folur në Euronews Albania në lidhje me situatën e përhapjes së COVID-19 në Shqipëri. Ai tha se kjo javë është java kur pritet të ketë një numër të shtuar të personave të prekur nga kjo sëmundje, e cila vijon që t’u marrë jetën shumë njerëzve në mbarë botën.
“Jemi në javën që pritet rrritja e numrit të të prekurve nga COVID-19, kështu që unë besoj se është normale, por janë akoma numra brenda të pritshmes. Lë të shpresojmë që mos të kemi ndonjë rritje galopante këtë javë. Ne kemi hyrë këtë javë, në dy javët pas qëndrimit të karantinës, dhe nëse nisemi nga disa llogari të parafërta, qëllon se këtë javë duhet të fillojë rritja e numrit dhe pritet të vazhdojë edhe dy javë të tjera”, tha ai.
I pyetur se kur kurba e të prekurve mund të arrijë pikë e saj më të lartë, profesor Gjata tha se është vështirë të bësh parashikime të sakta pasi në këtë drejtim shtoi ai, kanë dështuar edhe vende të tjera. Ai tha se gjithçka është në dorë të sjelljes dhe durimit të qytetarëve në lidhje me përkeqësimin apo jo të situatës në Shqipëri.
“Është e vështirë të bësh parashikime se kur arrin piku. Le të shpresojmë se rritja të jetë e ngadaltë, në mënyrë që ne të kemi mundësi t’i përgjigjemi. Është në dorën e qytetarëve”, shtoi Gjata.
Rektori Gjata foli gjithashtu edhe për bërjen e testeve masive ose jo për COVID-19, ndërkohë ftoi qytetarët të respektojnë me rigorozitet rregullat e karantinës. Sipas tij, testet për COVID-19 duhet të bëhen nga laboratorë të certifikuara sipas standardeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
“Çdo qytetar shqiptar duhet ta mendojë veten si të prekur nga kjo sëmundje. Nëse ne do të kemi një shans për ta kaluar këtë sëmundje duhet ta konsiderojmë veten si të prekur nga kjo sëmundje dhe të ruajmë të gjithë ato rregullat e karantinës. Nuk mund të bëhet marrja e tamponit në çdo laborator, pasi bërja e ekzaminimit të COVID kërkon laboratore të certifikuara. ISHP ka një laborator të certifikuar, ku janë bërë testime të ndryshme nga OBSH dhe është certifikuar si laborator. Testimi duhet të jetë i certifikuar. Unë besoj se mund të ndiqen modele të ndryshme.