English

Rendi dhe siguria gjatë vitit 2020, sfidat e ngutshme të Shqipërisë

KOMENTE

SHPERNDAJE
ARTIKULLIN

Text sizeAa Aa

Të dhënat kryesore të kriminalitetit gjatë vitit 2019 u rritën në raport me një vit më parë. Vrasjet dhe aksidentet morën më shumë jetë njerëzish ndërsa qeveria ka ndërmarrë disa nisma ligjore dhe teknike për goditjen e krimit të organizuar.

- Advertisement -

Krahasuar më një vit më parë kur ndodhen 51 vrasje, viti 2019 pati 7 vrasje më shumë, duke shkuar në 58-të. Nga këta, 14 vrasje kanë ndodhur në familje ndërsa pjesa tjetër në atentate, për shkak të konflikteve dhe përplasjes së bandave.

Pakujdesia në rrugët e Shqipërisë ka qenë një tjetër lajm i keq me aksidente të rënda.

Me gjithë masat shtrënguese dhe gjobat në rritje, një numër me i madh personash humbën jetën në rrugët e vendit.

Dhimbja për humbjet e jetëve në aksidente që klasifikohen si të evitueshme bëhet edhe më e madhe kur shkaku është pakujdesi apo shpejtësi përtej normave të lejuara. Megjithatë ekspertët janë të mendimit se vendit i mungon një studim mbi rrugët që po marrin jetë, jo vetëm për shkak të drejtuesve të mjeteve, por edhe infrastrukturës.

Sipas ekspertit të sigurisë rrugore, Artur Sulçe, drejtuesit e mjeteve në Shqipëri janë ekspozuar ndaj rrezikut që paraqet trafiku në disa akse rrugore që nuk janë parashikuar të kenë fluks.

“Kemi disa akse, rrugë interurbane dytësore, siç është Lezhë-Shkodër, pjesa e Fushë Krujës apo Elbasan-Korçë, ku lejohet parakalimi në vende të caktuara por problem i madh i tyre është që kjo kategori rruge në vendet e BE-së klasifikohet rrugë rurale, ku nuk mund të mbajnë një trafik siç mbajnë këto akse,” sqaron z. Sulçe.

“Në këtë këndvështrim duhet gjetur zgjidhja. Pra, kur të bëhen investimet në infrastrukturën rrugore të kihet parasysh të eliminohet ky element. Nëse ne do vendosim masa dhe penalitete duke i shtrënguar pa realizuar asgjë nga këto faktorët e  tjerë të cilët ndikojnë në këtë shqetësim qytetar, asnjëherë këto nuk do sjellin rezultate,” shton ai.

Edhe goditja e grupeve kriminale në disa operacione ka qenë në vëmendjen e punës së policisë.

besfortZv. Ministri i Brendshëm Besfort Lamallari thotë për Euronews Albania se gjatë 2 viteve të fundit, operacioni forca e ligjit ka dhënë rezultate konkrete, sidomos në sekuestrimin e aseteve financiare me burim krimin.

“Sa i përket aseteve kriminale, vlera e të gjithë këtyre pasurive të cilat burojnë nga krimi organizuar mund të themi se vetëm nga operacioni forca e ligjit duke aplikuar edhe paketën antimafia por edhe dispozitat e kodit penal për pastrimin e produkteve të veprimtarisë kriminale përllogariten rreth 100 milionë euro, pra nga momenti i ngritjes e deri më sot ky operacion do të thosha ka qenë i suksesshëm,” shprehet z. Lamallari.

“Mbetet e rëndësishme që gjykata të disponojë me një vendim përfundimtar konfiskimi megjithatë edhe këtë vit konstatojmë që ka një rritje të vlerës së aseteve të konfiskuara ku llogaritet rreth 1.1 miliard lekë të cilat shkojnë për buxhetin e shtetit, janë para që janë marrë nga krimi organizuar dhe tashmë do të jenë në dispozicion dhe për rritjen e kapaciteteve të policisë dhe prokurorisë,” sqaron zv. Ministri i Brendshëm.

Në fillim të muajit nëntor ministria e Brendshme lajmëroi edhe ngritjen e një njësie speciale për goditjen e të fortëve, e cila quhet “fast”. Me fokus arrestimin e personave më rrezikshmëri të lartë dhe të kërkuar nga drejtësia shqiptare, por edhe ajo e huaj, FAST tashmë është në terren.

“Nga momenti i fillimit të funksionimit të kësaj skuadre prej 11 ekspertësh të policisë kriminale të dedikuar dhe trajnuar posaçërisht në aspekte teknike por edhe kërkimit të personave, janë realizuar 6 operacione kërkimi dhe shumë informacione të shkëmbyera dhe verifikime të kryera për shtetas të huaj, por edhe shqiptar me rrjetin enfast, përfshirë vende si fast Gjermania, Austria, Belgjika, Luksemburgu dhe Suedia,” thotë z. Lamallari.

Pak ditë përpara tërmetit të 26 nëntorit, që devijoi dhe vëmendjen e qeverisë dhe të publikut, Kryeministri Rama prezantoi ligjin që e quajti, anti-KÇK dhe që i jep kompetenca shtesë policisë sa i takon përgjimeve dhe sekuestrimeve. 

Projektligji pritet të marrë formë ligjore dhe fuqi në fillim të 2020-ës dhe tagër i tij do të jenë jo vetëm ata individë që konsiderohen si të fortë dhe krimi organizuar, por edhe gjyqtarë e prokurorë që abuzojnë me ligjin dhe nuk kalojnë vetingun.

Eksperti i çështjeve të sigurisë, Arjan Dyrmishi sqaroi për Euronews Albania detajet e këtij projektligji.

ar23

“Ka 2 nivele, njëri është teknik, tjetri politik. Politikisht le ta marrim sikur kjo është një shprehje e vullnetit që ekzekutivi do që të shtyjë disa gjëra përpara dhe realizimi i tyre për shkak të ndarjes së pushteteve varet dhe nga institucione të tjera,” shprehet ai.

“Do të shikojmë se sa do t’i rezistojë këtij testimi procesi i miratimit të akteve që kanë të bëjnë me KÇK-në dhe pastaj në praktikë do të shikojmë se sa institucionet do të jenë në gjendje të realizojnë një tension të ri qoftë mes marrëdhënieve institucionale apo matjes së punës së tyre kundrejt një lloj rezultatshmërie se sa thjesht kryerja e aktiviteteve që kryem kaq operacione apo bëmë ketë bëmë atë,” shton z. Dyrmishi.

“Por në fund fare në kthejmë kokën dhe shikojnë që trendet e veprimtarisë kriminale sa i përket disa volumeve rriten, siç është rasti i narkotikëve të fortë ku me gjithë përpjekjet dhe veprimtaritë që faktikisht janë kryer, ne shikojnë që sasia e importit të kokainës drejt Shqipërisë rritet,” përfundon eksperti.

Sipas zv. ministrit Lamallari, vullneti i qeverisë për të luftuar korrupsionin apo ato përpjekjet e fundit nga magjistratë të caktuar apo zyrtarë të korruptuar të cilët abuzojnë është i qartë.

Një njollë që mori përmasa ndërkombëtare për policinë shqiptare është edhe kanabisi. Publikisht prej 2 vitesh qeveria e ka shpallur të fituar luftën me kanabisin por pavarësisht deklaratave, gjatë 2019 ra në sy mungesa e një raporti të Guarda di Finanzas italiane mbi monitorimin ajror.

Për këtë është bërë e ditur vetëm një shifër nga drejtori i përgjithshëm i policisë Ardi Veliu sipas të cilit fluturimet janë mbyllur më 31 tetor dhe gjatë 2019-ës janë konstatuar 1 607 vende kultivimi me gjithsej 90 175 bimë narkotike të asgjësuara apo sekuestruara.  

2020 do të jetë viti i vetingut të policisë. Me radhë drejtuesit e uniformave blu kanë filluar të dalin para komisionit të jashtëm të vlerësimit, ashtu si prokurorë e gjyqtarë.

Etiketimet

TË FUNDIT

Sondazh

Vetëvendosje del forcë e parë në Kosovë, por nuk siguron shumicën! A mendoni se Kurti do ta formojë dot qeverinë e re?