Me një votim prej 51 me 49 vota, senati i kontrolluar nga republikanët ndaloi kështu përpjekjen e demokratëve për të dëgjuar dëshmitarë si ish-këshilltari i sigurisë kombëtare Xhon Bolton, që mendohet të ketë informacione të rëndësishme mbi përpjekjet e Trump për t’i bërë presion Ukrainës për të hetuar rivalin politik Xho Bajden.
Ky veprim nxiti demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve që të akuzojnë zyrtarisht Trump për abuzim me pushtetin dhe pengim të Kongresit.
Kjo e bëri Trump presidentin e tretë në historinë e Shteteve të Bashkuara që inkriminohet, edhe pse ai hedh poshtë çdo shkelje dhe akuzon demokratët për përpjekje për grusht shteti.
Senati është thuajse i sigurt se do të shfajësojë Trump nga akuzat, pasi nevojiten dy të tretat për të larguar presidentin nga detyra dhe deri tani asnjë nga 53 senatorët republikanë nuk ka shfaqur shenja se do të votojnë për ta dënuar atë.
Në votimin e së premtes për dëshmitarët, vetëm Mit Romni dhe Suzan Kollins u shkëputën nga republikanët dhe votuan për demokratët. Për këta të fundit, votimi ishte një turp.
“Është një tragjedi e madhe, ndër më të rëndat. Fatkeqësisht, Amerika do ta mbajë mend këtë ditë, kur Senati nuk përmbushi përgjegjësitë e tij, kur refuzoi të vërtetën dhe vijoi me një proces mashtrimi”- u shpreh Chuck Schumer, lideri i opozitës në Senat.
Ndërkohë, vetë presidenti Trump u nis me bashkëshorten drejt resortit të tij në Florida, Mar a Lago.