Sahati 300-vjeçar i Libohovës është restauruar. Objekti simbol i qytetit jugor, tashmë pritet të afrojë më shumë turistë me vlerat e tij historike.
Sahati i gurtë 300-vjeçar në qytetin e Libohovës i është nënshtruar restaurimit ndërsa synohet të kthehet në një objekt të vizitueshëm që tërheq turistët. Sahati i Libohovës është ndërtuar rreth fundit të shekullit të 17-të fillimit dhe përbën një ndër objektet e veçanta të trashëgimisë historike dhe kulturore për këtë zonë.
“Sahati i Libohovës është një vlerë e veçantë jo vetëm kulturore por edhe historike për Libohovën dhe më gjerë, është një sahat që është ndërtuar nga bejlerët e Libohovës, aty nga shekulli i 17-18-të, është në një vend strategjik këmbana e të cilit dëgjohej në të gjithë luginën e Dropullit”-tha Besnik Ismailti, studiues.
Ndërhyrja e kryer mundëson restaurimin e kullës së sahatit dhe shmang dëmtimin e saj të mëtejshëm.
“Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Gjirokastër, në kuadër të planit të ndërhyrjeve për vitin 2024 një nga ndërhyrjet më prioritare ka edhe ndërhyrjen në kullën e sahatit të Libohovës pasi rrezikohej rënia e çatisë së këtij objekti e cila më pas sjell edhe degradimin e mëtejshëm të mureve dhe elementëve strukturorë të këtij objekti “Monument Kulture” i Kategorisë së Parë, Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Gjirokastër edhe në bashkëpunim me bashkinë Libohovë mori të gjitha masat duke ndërhyrë në restaurimin totalisht të çatisë një gjë që shmangu edhe rrezikun e shembjes së këtij objekti në vijimësi”-Ardis Duka, drejtor i Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Gjirokastër
Tashmë zona e Libohovës po tërheq një numër në rritje turistësh vendas dhe te huaj dhe sahati i gurtë, do të pasurojë guidën turistike.
“Vënia dorë kohët e fundit ose kthimi i vëmendjes ndaj tij do të thotë që ky sahat do të flasë vet, pse do të flasi sepse është planifikuar që ai të funksionojë përsëri me këmbanën e vet dhe tingulli i këmbanës do të tërheqë edhe turistët por do ti japë bukurinë të gjithë luginës, do të kthehet në identitet” –shtoi Ismailati.
“ Duke nisur parashikimet për vitin 2024 dhe për fluksin e turistëve që do të vizitojnë Shqipërinë rajoni jugor dhe kryesisht Qarku Gjirokastër ka një sërë monumentesh kulture kategori e parë dhe e dytë aq më tepër objektet e tipologjive të ndryshme si objekte kulti, teqe, xhami apo kisha, kala, kulla e sahatit gjithashtu edhe ura apo objekte të tjera hidrike dhe kjo gjë, mirëmbajtja e këtyre monumenteve duket që sjell edhe një vlerë të shtuar për turizmin aq më tepër edhe për interesin e madh që kanë vizitorët e huaj kryesisht për këto objekte kaq të rëndësishme për trashëgiminë tonë kulturore”-tha Duka.
Zona e Gjirokastrës ka një pasuri të veçantë të objekteve “Monument Kulture” të cilat janë pika tërheqëse të guidës turistike në jug të vendit.
LEXONI GJITHASHTU:
- KFOR-i tërheq njësitë nga ndërtesa e komunës së Zveçanit
- Indi/ Rimorkio që transportonte pelegrinë bie në lumë, humbin jetën 24 person