Për këdo që do shkojë drejt pistave të skive këtë fundjavë në Francë mund t’i duhet të marrë me vete edhe një palë pantallona të shkurtra, bashkë me veshjen e skive.
Franca po kalon një prej muajve shkurt më të ngrohtë që është regjistruar ndonjëherë. Rezortet e lartësive të ulëta në Pirenejtë mund të shohin temperaturat e larta prej 15 gradë Celsius të dielën.
Fundjavën e shkuar, një rezort në Francë u vu në qendër të kritikave pasi përdori helikopterë për të marrë dëborë nga majat e maleve e për t’i çuar drejt pistave të tyre në lartësi më të ulët të cilat ishin veshur me të gjelbër.
Dje, përfaqësues të industrisë së skive u takuan me ministren e Ekologjisë së Francës, Elisabeth Borne, për të diskutuar pikërisht për këtë çështje.
Si ndikojnë ndryshimet klimatike te rezortet e skive?
Ngrohja globale është edhe më e egër në shpatet e maleve. Temperaturat në Alpe janë rritur me 2 gradë Celsius gjatë shekullit të XX, sipas Qendrës Kërkimore për Ekosistemet Alpine, më e lartë sesa mesatarja prej 1.4 gradë Celsius në gjithë Francën.
Stinët po bëhen më të shkurtra: Sipas një studimi të Universitetit të Neukatelit dhe Institutit të Studimeve për Dëborën dhe Falangat, rezortet zvicerane të skive kanë humbur rreth një muaj dëborë që nga 1970, teksa sezoni nis 12 ditë me vonesë dhe përmbyllet 25 ditë më herët.
Si po e përballojnë këtë rezortet e skive?
Deri më tani rritja e përdorimit të dëborës artificiale e ka ndihmuar biznesin të ecë përpara.
Në Francë, rreth 100 dhe 120 rezorte janë të pajisura me mjetet e posaçme për të prodhuar dëborë artificiale dhe së bashku ato përbëjnë 95 për qind nga të ardhurat e këtij sektori, tha për Euronews Alexandre Maulin, Presidenti i Shoqatës së Fushave të Skive të Francës.
Përtej kufirit, në Zvicër, situata është tejet e ngjashme.
Kthimi në të shkuarën
“Është pothuajse një kthim në të shkuarën. Lloji i parë i turizmit malor, në Zvicër të paktën, nuk ishin skitë, por turizmi për shëndetin,” tha Broccard.
“Vera është stina më e mirë për t’i dhënë larmi turizmit malor dhe firmat e marketingut duhet të përçojnë mesazhin që mali është i baras vlefshëm me shëndetin. Duhet të flasim për këndvështrimin e ajrit të pastër, këndvështrimin e shëndetit”, shtoi më tej Broccard.
Megjithatë, këto aktivitete qofshin në Francë apo në Zvicër, janë vetëm një fraksion i asaj se çfarë premton sezoni i skive.
Ajo që duan kryetarët e bashkive është ndihmë financiare dhe ente rregullatorë për të zhvilluar aktivitetet e tyre përtej dëborës dhe t’i ndihmojnë në promovimin e tyre. Në përgjithësi, ata nuk janë të frikësuar se do të ndikojë thellë mbi ekonominë e tyre nëse ata e ndjekin këtë plan.
“Kryetarët e bashkive kanë besim tek e ardhmja sepse janë të sigurt që do të kenë mundësi të ofrojnë një sërë aktivitetesh të tjera përveç skive”, përmbylli ai.