Dy shtetas të Kosovës janë kthyer nga zonat e konfliktit në Siri.
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla përmes një statusi në Facebook tha se kthimi i tyre u bë i mundur në sajë të bashkëpunimit me qeverinë e Shqipërisë.
“Kjo është vazhdimësi e angazhimit të Qeverisë së Kosovës për rikthimin dhe riintegrimin e qytetarëve tanë që ka filluar nga viti 2019. Jemi të lumtur që jemi shtet lider global në luftën kundër terrorizmit duke zbatuar kështu me përgjegjësi të lartë obligimet tona si shtet anëtar i Koalicionit Global kundër ISIS”, shkruan Zveçla.
Një ditë më parë, 4 gra dhe 9 fëmijë nga Shqipëria janë riatdhesuar nga Siria gjatë një operacioni nga Antiterrori.
Burime për Euronews Albania bënë me dije se prej disa ditësh disa oficerë kanë punuar për nxjerrjen e tyre nga kampet Al-Hol dhe Roxh.
Në vitin 2020 u riatdhesuan pesë shqiptarë nga kampi Al-Hol në Siri, mes të cilëve katër fëmijë.
Ndërkohë në nëntor të vitit 2019 u lirua nga kampi Al-Hol në Siri, 11-vjeçari Alvin Berisha, i cili tashmë i është kthyer jetës në Itali pranë familjes së tij.
LEXONI GJITHASHTU:
- 4 gra dhe 9 fëmijë riatdhesohen nga Siria
- Pesë gra dhe 14 fëmijë riatdhesohen nga kampet e ISIS në Siri, Rama: Operacioni, i rrezikshëm