I dërguari special i Presidentit amerikan, Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell ka ritheksuar se taksa 100% duhet të hiqet. “Taksa duhet të hiqet në mënyrë që të funksionojnë investimet. Është thelbësore”, ka shkruar Grenell në rrjetin social “Twitter”.
Ndërsa zëdhënësi i tij, pak orë më vonë ka deklaruar për “Radio Evropa e Lirë” se “Ambasadori Richard Grenell, asnjëherë nuk ka folur për anulimin e investimeve në Kosovë”.
Ai ka shtuar se Grenell e ka bërë të qartë se tarifat e dëmtojnë ekonominë e Kosovës dhe i dërgojnë komunitetit të sektorit privat një mesazh të keq, se Kosova nuk është një vend në të cilën mund të zhvillohet një biznes.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka deklaruar se do të ndjekë parimin e reciprocitetit me Serbinë, ndërsa ky qëndrim i tij duket që nuk e ka mbështetjen e duhur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
I dërguari për dialogun Prishtinë-Beograd, z. Richard Grenell ka ritheksuar disa herë faktin, që Kosova dhe Serbia duhet të lënë mënjanë konfliktet e vjetra politike për të rinisur procesin e përmirësimit të marrëdhënieve mes tyre.
Me iniciativën e vetë Presidentit Donald Trump, Kosova dhe Serbia pritet të fillojnë së shpejti zbatimin e marrëveshjeve mbi hekurudhat dhe linjat ajrore Prishtinë-Beograd.