Dy ditë pas Konferencës së Donatorëve, në Shqipëri është momenti i llogarive. 1.15 miliardë euro janë një shumë e madhe në një vend si Shqipëria, e cila për të disatin vit radhazi shënon rënie në renditjen e Transparency International për korrupsionin.
Menaxhimi me përgjegjshmëri i këtyre parave u përmend disa herë gjatë konferencës, madje për të u shpreh gjatë një interviste për Dojçe Velen edhe Komisioneri për Zgjerimin, Varhelyi.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndërkohë, duke e njohur dobësinë e Shqipërisë në menaxhimin e ndershëm të fondeve, e organizuan kontributin e tyre pikërisht në ngritjen e një agjencie që do të mbikëqyrë menaxhimin me transparencë të parave të ofruara nga kjo Konferencë Donatorësh.
Edhe aktorët politikë në Shqipëri, nxituan që pas falënderimeve për bujarinë e donatorëve, të theksojnë nevojën që 1.15 miliardë eurot e dhuruara të mos përfundojnë në labirintet e korrupsionit zyrtar dhe privat që gërryen prej dekadash ekonominë shqiptare.
Auditimi, mbikëqyrja e kujdesshme e produktit që prodhoi solidariteti i miqve të Shqipërisë, do të jetë sfida më e madhe me të cilën do të përballet Shqipëria në muajt dhe vitet në vijim.