Në fshatin Roshnik të Beratit është organizuar panairi i produkteve bio të zonës. Të gjithë fermerët e 13 fshatrave kanë ekspozuar prodhimet e tyre, nga frutat e thata e deri tek vera dhe rakia. Por produkti më i famshëm që i ka dhënë zë edhe zonës është fiku i Roshnikut.
Fermerët shprehen të kënaqur me prodhimin e këtij viti. Falë cilësisë së prodhimit, tregtarët kanë rritur kërkesat për të blerë të gjithë sasinë e prodhuar.
“Fiku jonë ikën në çdo vend, edhe jemi të kënaqur sidomos këtë vit për fikun, ka mbajtur koha jasht mase, vijnë vetë të interesuarit që na i marrin. Jemi të pajtuar vit për vit, nuk është se e kemi problematikë”, thotë një fermer.
“E vështirë është, punë e lodhshme është, por ja dalim. U prish një çik koha, por mirë është prapë. E bën vendi, i përshtatet vendit, s’mund të bëhet në vend tjetër, të vjen e ta merr tregtari vetë”, shprehet një tjetër.
Një tjetër fermer i zonës tregon arsyet se përse prodhimi është i mbarë. Ai zotëron një sipërfaqe me afro 500 rrënjë fiq, por jashtë kamerës tregon faktin se në fshatra mungon fuqia punëtore, duke e bërë të vështirë përkujdesjen.
Fshati i Roshnikut i cili numëron rreth 4 mijë banorë ndodhet rrëzë malit të Tomorit dhe zotëron kushtet e favorshme për kultivimin e fruta perimeve dhe pemëtoreve. Në këtë zonë rreth 70 hektarë janë mbjellë me varietete të fikut dhe me dhjetëra hektarë të tjerë janë vreshta rrushi.
LEXONI GJITHASHTU:
- Korça destinacioni i preferuar, rriten vizitat në muze dhe fshatra
- Fshati turistik i Roshnikut, investimet në agroturizëm po thithin mijëra turistë