Pesë rastet e fundit të dyshuara me coronavirus në përfundim të testimit në laboratorin e virologjisë në Institutin e Shëndetit Publik, kanë rezultuar negativë. Lajmi bëhet i ditur nga Ministria e Shëndetësisë, ku nënvizohet se bëhet fjalë për raste me histori udhëtimi me vendet e prekura nga koronavirusi COVID-19. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, deri në këto momente janë testuar 23 raste për koronavirusin e ri.
Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se, sot ka nisur puna për shpërndarjen e një sasie prej 1.2 milionë maska në të gjithë qendrat shëndetësore dhe spitale. Kjo gjë është deklaruar nga drejtuesja e këtij dikasteri, Ogerta Manastirliu gjatë mbledhjes së Task-Forcës së ngritur për masat kundër coronavirusit.
“Përveç mjeteve të mbrojtjes personale dhe stokut ekzistues tani që flasim ka nisur puna për të shpërndarë 1.2 milion maska kirurgjikale në të gjithë strukturat e vendit, parësorit dhe spitalet e vendit. 1 milion dollarë janë rialokuar dhe janë shtesë në buxhetet e spitaleve të vendit për të pasur stokun e mjaftueshëm për çdo skenar për masat e mbrojtjes personale për çdo skenar potencial”, ka deklaruar znj. Manastirliu.
Deri tani në vendin tonë ka pasur 18 raste të dyshuara me coronavirus, por pas kryerjes së testimeve kanë rezultuar negativë. Pas viktimave të shkaktuara në Itali, Kroacia, Greqia dhe Maqedonia e Veriut kanë deklaruar rastet e para të të infektuarve nga virusi.
Përhapja masive e virusit në Itali dhe vendet përreth bëri që shumë qytetarë shqiptarë për përfshihen nga paniku dhe nxituan që të blinin maska si masë mbrojtëse. Kjo bëri që çmimi të shumëfishohet, duke detyruar Prokurorinë që të nisë hetime për abuzim.
Nga ana tjetër, nuk kanë munguar ankesat e punonjësve të sistemit shëndetësor në qendra mjekësore dhe spitale për mungesë të furnizimit me maska, pavarësisht se Ministria e Shëndetësisë deri tani ka pretenduar se ka siguruar stokun e nevojshëm të medikamenteve për çdo rast.