Ministria e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale ka përditësuar numrin e personave të prekur nga COVID-19 në Shqipëri. Sipas specialistes së Institutit të Shëndetit Publik, Marjeta Dervishi, numri i të prekurve ka shkuar në 333 persona, ndërsa deri tani, kanë humbur jetën 18 pacientë. Gjatë 24 orëve të fundit, pas testeve të kryera kanë rezultuar pozitivë nga coronavirusi 29 qytetarë.
Një 67-vjeçar nga Tirana ka ndërruar jetë në Spitalin Infektiv në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në kryeqytet. Pacienti nga kryeqyteti ishte shtruar para 13 ditësh në spital, por gjendja e tij shëndetësore për fat të keq u rëndua dhe për pasojë ndërroi jetë duke e çuar numrin e viktimave në 18. Por, pavarësisht rasteve të shtuara të të prekurve, lajmi i mirë është se gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar edhe dhjetë pacientë, mes tyre qytetarë dhe personel mjekësor.
“Ju informojmë se mëngjesin e sotëm ka ndërruar jetë në spitalin Infektiv një pacient 67 vjecar nga Tirana, i konfirmuar me COVID-19. Pacienti ishte i shtruar prej 13 ditësh në spitalin infektiv, prej 6 ditësh ishte i intubuar dhe në hemodializë që e kryente brenda spitalit Infektiv. Pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor, 67 vjecari ka ndërruar jetë. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i shpreh ngushëllimet familjes të të ndjerit.
Deri tani 18 persona kanë ndërruar jetë nga COVID-19 në Shqipëri. Lajmi i mirë është që gjatë 24 orëve të fundit kemi 10 pacientë të shëruar duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 99. Ju informojmë se, në shërbimin infektiv aktualisht janë 66 të shtruar. 6 prej tyre janë në terapi intensive ndërsa një është i intubuar. Pjesa tjetër e të shtruarve në pavion janë në gjendje të stabilizuar deri në këto momente.
Ndërsa në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 5 pacientë të shtruar, 2 prej të cilëve janë të intubuar”, tha zonja Dervishi.
Sipas saj, në dy spitalet COVID në vendin tonë aktualisht po marrin shërbim 71 pacientë, ndërkohë harta e të prekurve është zgjeruar në Tiranë, Durrës, Elbasan Has, Lushnje, Kavajë, Lezhë, dhe Shkodër.
Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive, është si vijon:
– Tiranë 157 raste
– Durrës 33 raste
–Lushnje 5 raste
– Elbasan 9 raste
– Fier 25 raste
– Kavajë 8 raste
– Rrogozhinë 4 raste
– Korçë 16 raste
– Vlorë 5 raste
– Shkodër 31 raste
– Lezhë 14 raste
– Berat 1 rast
– Has 9 raste
– Krujë 5 raste
-Tropojë 4 raste
– Pukë 4 raste
– Mirditë 3 raste
Specialistja e ISHP-së ftoi qytetarët që të tregojnë kujdes dhe në rast se kanë shenja apo simptoma të telefonojnë në numrin e Urgjencës Kombëtare 127 ose në numrin e gjelbër 0800 40 40.
“Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i kërkon qytetarëve të vijojnë të respektojnë masat e distancimit social. Është po kaq e rëndësishme që masat e kontrollit të infeksionit të respektohen maksimalisht edhe brenda rretheve familjare duke shmangur vizitat tek të afërmit për çdo lloj arsye për të parandaluar transmetimin e COVID-19. Nëse keni shenja të sëmundjes COVID19 telefononi numrin e urgjencës 127. Për çdo pyetje apo informacion rreth COVID19 telefononi në linjën e gjelbër 0800 40 40”, u shpreh Marjeta Dervishi.