Kreu i Partisë Demokratike ka inkurajuar simpatizantët e PD pak orë para protestës së thirrur mesditën e së shtunës.
“Shqipëria po marshon drejt Tiranës! Tirana vërshon sot në rrugët dhe sheshet e saj! Rroftë Revolucioni Demokratik!” shkruan Berisha në Facebook.
Opozita organizon sot protestën e katërt, në atë që e ka paralajmëruar prej kohësh se do të jetë një “stinë” protestash kundër qeverisë.
Aksioni nisi me protestën e 7 korrikut, pak pasi Sali Berisha u rikthye në krye të Partisë Demokratike. Asokohe, ai ftoi qytetarët t’i bashkoheshin kauzës së opozitës, për të kundërshtuar ndryshimet negative që po ndodhnin në vend. “Sot Shqipëria është vendi që rrit fëmijë për emigracion. Të rinjtë largohen nga ky vend njëlloj sikur të ishte një konflikt civil. Në të gjitha takimet unë gjej një thirrje që buron nga thellësitë e shpirtit të qytetarëve shqiptarë për t’u bashkuar në këtë protestë,” deklaroi Berisha, ndërsa akuzonte kryeministrin Edi Rama se kishte vendosur pushtetin monist. Berisha e cilësoi test të kaluar me sukses tubimin e asaj dite, si tregues force përballë mazhorancës.
Qytetarët u shpërndanë dhe protesta e radhës nga opozita u thirr shumë më vonë, më 12 nëntor. Për rreth 3 orë, u protestua para kryeministrisë, në një kohë kur Edi Rama nuk ndodhej në zyrë, por në Francë. Me fjalime të shumta, qytetarë dhe aktivistë të Partisë Demokratike dhe në fund Berisha dhe Ilir Meta bënë thirrje për ndryshim, duke e cilësuar Ramën si armikun më të madh të lirisë së shqiptarëve. Protesta u mbyll me një pjesë të njerëzve që çanë rrethimin policor dhe hodhën bojë drejt së kryeministrisë, ndërsa një person me thikë u ndalua nga efektivët në shkallët e godinës. Në anën tjetër, Rama nuk i komentoi këto zhvillime.
Protesta e radhës nuk vonoi. Ndërsa Tirana mirëpriste për herë të parë Samitin e Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor, një ngjarje e cilësuar historike për vendin, opozita zgjodhi të protestojë për t’i treguar ndërkombëtarëve “fytyrën e vërtetë të Ramës”. Vëmendja e atij 6 dhjetori u vodh nga grushti famëkeq ndaj Berishës që në nisje të protestës, gjë që gjithsesi nuk e pengoi vijimin e aksionit opozitar. Protesta u mbajt jashtë perimetrit të sigurisë që ishte caktuar për samitin, edhe pse ishte paralajmëruar se do të mbahej para godinës së kryeministrisë dhe vendit ku do të zhvillohej samiti.
3 protesta të shënuara nga incidente minimale, të cila nuk prishën karakterin paqësor të këtyre tubimeve.
Por si do të zhvillohet kjo protestë e sotme? Pyetja që i është shtruar çdo përfaqësuesi të opozitës që prej ditës kur u lajmërua protesta e deri më sot është nëse do të ketë ose jo dhunë. Si do të veprojë Partia Demokratike dhe Partia e Lirisë, në rast se revolta qytetare përshkallëzohet? A duhet të jetë kjo protestë e një karakteri jo paqësor, si paraardhëset e saj, për ta përçuar mesazhin që Berisha dhe Meta theksojnë në çdo dalje publike, se qeverisjes së Ramës duhet t’i vijë fundi? Të dy opozitarët thonë se ndiejnë nga qytetarët pakënaqësi të mëdha ndaj qeverisë dhe se çdo skenar në këtë protestë është i mundur.
Partia Demokratike depozitoi pak ditë më parë edhe një njoftim në Policinë e Tiranës, ku saktëson se protesta do të nisë në orën 12:00, ndërsa nuk përcaktohet se kur ky tubim do të mbyllet. Opozita ka parashikuar një pjesëmarrje deri në 100 mijë persona, me motivin për të kërkuar largimin e kryeministrit Rama.
Mbi 1500 efektivë policie do të jenë në terren për të siguruar mbarëvajtjen e kësaj proteste. Në ndihmë të efektivëve të policisë do të vihen edhe efektivë të forcave Speciale RENEA, si Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, për të menaxhuar turmën e protestueseve në rast të një skenari të dhunshëm.
LEXONI GJITHASHTU:
- Protesta e opozitës, nis blindimi i dyerve të Kryeministrisë
- Protesta, 1500 policë në terren, në ndihmë të tyre RENEA e FNSH. Rrugët e bllokuara