Rusia ka vendosur të ndalojë hyrjen e shtetasve kinezë në territorin e saj për shkak të përhapjes së coronavirusit COVID-19, duke nisur që nga 20 shkurti.
Lajmi është dhënë nga zyra e zv. Kryministrit të Federatës Ruse, Tatyana Golikova, pas një takimi për pengimin e përhapjes së coronavirusit COVID-19 në Rusi.
“Prej mesnatës së 20 shkurtit të vitit 2020, kalimi i pasagjerëve nga Republika Popullore e Kinës drejt kufijve të Federatës Ruse do të jetë përkohësisht i pezulluar” thuhej në deklaratë.
Kjo do të ndikojë mbi pasagjerët kinezë që udhëtojnë për qëllime private, arsimi, pune apo turistike, thuhej ndër të tjera në deklaratë.
Deri më tani në Rusi janë konfirmuar dy raste të coronavirusit, dy shtetas kinezë që po trajtohen në një spital në Siberi.
Rusia dhe Kina ndajnë një kufi prej më shumë se 4 mijë kilometrash të gjatë, por Moska ka pezulluar linjat hekurudhore dhe ka ulur numrin e fluturimeve.
Më parë, Rusia ka ndaluar udhëtimet pa vizë të grupeve turistike kineze.