Shoferëve të transportit publik në Moskë u është kërkuar të raportojnë çdo person nga Kina në mjetet e tyre, siç njoftojnë sindikatat ruse për Euronews.
Po ashtu, Rusia ka ndaluar përkohësisht udhëtarët që vijnë nga Kina, si një përpjekje për të ndaluar përhapjen e coronavirusit.
Shoferët, ndërkohë, janë udhëzuar që nëse shohn një person nga Kina, të lidhen menjëherë me centralin e kontrollit, që më pas do të lidhet me policinë.
Moskovitët dhe drejtuesit e mjeteve publike fillimisht e morën lajmin si diçka të rreme, por më pas u konfirmua që udhëzimi ishte i vërtetë.
Kjo është konfirmuar nga Juri Dashkov, drejtori i Sindikatës Ndër-rajonale të Punonjësve të Transportit Publik.
“Askush nuk e kupton se si mund të përmbushet kjo kërkesë me saktësi. Edhe nëse njerëzit shohin dikë nga Kina në bord, me çfarë të drejte do t’u kontrollojnë identitetin? Po sikur të mos jenë kinezë, por koreanë?”, thotë ai.
Dashkov po ashtu shton se kjo detyrë nuk u përket aspak shoferëve, por policëve dhe institucioneve shtetërore.