Rusia dhe Ukraina shkëmbyen replika në takimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, me të dyja palët që fajësuan njëra-tjetrën për rifillimin e luftimeve në lindje të Ukrainës. Përfaqësuesi i përhershëm i Rusisë në OKB, Vasili Alekseviç Nebenzia deklaroi se Ukraina po nxit një luftë kundër popullsisë së saj duke ngritur një bllokadë në Donbas.
“Shumë prej jush flasin për gjendjen e vështirë të banorëve të Donbasit dhe sërish ju refuzoni të njihni përgjegjësinë e Kievit, që duke bërë luftë kundër popullsisë së tij ka imponuar bllokadën ekonomike dhe ushqimore ndaj Donbasit. Çdo ditë prej 5 vitesh njerëzit kanë vdekur si pasojë e bombardimeve, mos po bombardojnë gjë veten?”, shprehet Vasily Alekseevich Nebenzya, ambasadori i Rusisë në OKB.
Zëvendës ministri i Jashtëm ukrainas, Sergij Kislitsia akuzoi Moskën për një shkelje flagrante të paktit të Minskut dhe për nxitje të përshkallëzimit të luftimeve.
“Sikurse ka ndodhur më parë, Rusia përpiqet të paraqesë viktimat e sulmeve të saj si agresorë, që është një nga vulat e luftës së saj të informacionit kundër Ukrainës. Përpjekje të tilla të kota për të shtrembëruar të vërtetën mund të shihen si patetike dhe qesharake po të mos ishin një fyerje e kujtesës së mijëra bashkëpatriotëve të mi që kanë humbur jetën duke mbrojtur tokën e tyre”, tha Sergiy Kyslytsia.
Ushtria ukrainase deklaroi se separatistët e mbështetur nga Rusia ishin përpjekur të avanconin në territorin e kontrolluar nga Kievi, por u zmbrapsën. Aktet e dhunës shpërthyen në përvjetorin e pestë të miratimit të marrëveshjeve të Minskut nga Këshilli i Sigurimit, një akord për paqen i ndërmjetësuar nga Franca dhe Gjermania në 2015-n me qëllim reduktimin e luftimeve.
Rozmari Di Karlo, nënsekretare e përgjithshme e OKB-së për Çështjet Politike dhe Paqen tha se raportimet për akte dhune ishin shumë shqetësuese dhe u bëri thirrje palëve që të vijojnë negociatat për të shmangur përshkallëzimin e situatës.