Rreth 800 milionë euro janë para në formën e huave të dhëna nga grupet e bankave në mbështetje të rimëkëmbjes së biznesit dhe sektorit të turizmit. Prodhimi ishte një ndër më të goditurit, dhe dëmet në sektorin e turizmit lidhen më tepër me të ardhmen, sesa me humbjet materiale të pësuara.
Më pak se 400 milionë euro kanë qenë para të dhuruara nga shtetet pjesëmarrëse të konferencës. Shumica e tyre do të shërbejnë për plotësimin e nevojave të rindërtimit, qoftë ndërtimit të banesave, shkollave, apo infrastrukturës.
Turqia dhe Emiratet e Bashkuara dhuruan 115 milionë euro posaçërisht për ndërtimin e shtëpive.
Sllovenia dhe Sllovakia dhuruan 750 mijë euro të dedikuara për ndërtimin e shkollave të dëmtuara. Një pjesë e parave u dhuruan dhe për mbrojtjen civile dhe personat në nevojë, si UNICEF-i, Irlanda, apo Luksemburgu. Ndërkohë interesante ishte dhurimi i Hungarisë për rindërtimin e kishave të dëmtuara, apo SHBA që dhuruan 800 mijë dollarë për monumentet e kulturës.
Por aleati më i madh i Shqipërisë dhe disa vende të tjera dhuruan para për ecurinë e reformave ligjore që po ndërmerren nga qeveria shqiptare për të forcuar transparencën.
“Qeveria Amerikane do të japë 3.9 milionë dollarë që të ndihmojë qeverinë e Shqipërisë të menaxhojë donacionet e marra për rimëkëmbjen nga tërmeti, dhe fonde të tjera publike, në një mënyrë transparente dhe të përgjegjshme në përfitim të atyre në nevojë. Këto fonde të reja do të ndihmojnë ngritjen e një akademie transparence Amerikano-Shqiptare, që vjen me kërkesë të drejtpërdrejtë nga kryeministri”, u shpreh Matthew Palmer, përfaqësues i posaçëm i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor.
Përveç parave, shtetet u zotuan të ofronin gjithashtu asistencë teknike për rimëkëmbjen, trajnime për mbrojtjen sizmike e civile, asistencë psikologjike për personat në nevojë, dhe çfarëdo lloj ndihme tjetër që Shqipërisë do ti nevojitet gjatë rimëkëmbjes.