Kryesuesi i kandidatëve demokratë në garën e nominimeve, Berni Sanders është gjendur nën sulm nga rivalët e tij në debatin e zhvilluar në Karolinën e Jugut. Në takimin e transmetuar nga “CBS News”, rivalët sulmuan koston e lartë të ambicieve të Sanders dhe paralajmëruan se kjo do t’i kushtonte partisë demokratike Shtëpinë e Bardhë dhe kontrollin e Kongresit, pa anashkaluar ndihmën e përfolur ruse.
“Jua them unë se çfarë duan rusët. Ata nuk duan një parti politike, por kaos. Dhe kaosi është ajo që po afron. Nëse ju mendoni se katër vitet e fundit kanë qenë kaotike, përçarëse, toksike dhe rraskapitëse, mendoni se si do të jetë ta kalojmë pjesën më të mirë të 2020-s me Berni Sanders kundër Donald Trump”, shprehet Pete Buttigieg.
Në një debat ku kandidatët i bërtitën njëri-tjetrit dhe injoruan limitet kohore, kundërshtarët e Sanders u bashkuan në sulmet ndaj senatorit të pavarur, duke e cilësuar atë një zgjedhje me rrezik për të sfiduar presidentin Trump në nëntor.
“Donald Trump mendon se është më mirë nëse ai është president. Unë nuk mendoj kështu. Presidenti Putin mendon se Trump duhet të jetë president, prandaj dhe Rusia po të ndihmon ty, Sanders, në mënyrë që të humbësh përballë tij”, deklaron Mike Bloomberg.
Kandidatja për presidente, Elizabeth Uorren e akuzoi Sanders se nuk ka sqaruar kurrë se si mendon të implementojë planet e tij, ndërsa Xho Bajden se nuk ka mbështetur nismat për kontrollin e armëve.
“Jo shumë larg që këtej është një kishë, ku 9 persona u vranë nga një supremacist i bardhë. Sanders votoi 5 herë kundër draftit që zgjat kohën e pritjes për pajisjen me armë”, tha Joe Biden.
Nga ana e tij, Sanders u mbrojt duke i dërguar një mesazh të qartë rusëve, që flitet se po ndihmojnë figurën e tij dhe duke akuzuar rivalët se janë miq të liderëve autoritarë.
“Unë nuk jam një mik i presidentit të Kinës. Mendoj se presidenti Xi është një lider autoritar. Dhe po i them diçka edhe zotit Putin, që ndërhyu në zgjedhjet e 2016-s për të përçarë amerikanët. Zoti Putin, nëse unë zgjidhem president i Shteteve të Bashkuara ti nuk do të ndërhysh më në zgjedhjet amerikane”, theksoi Bernie Sanders.