Kandidati për president të SHBA në Partinë Demokratike, Bernie Sanders paralajmëroi Rusinë që të qëndrojë jashtë zgjedhjeve amerikane, pasi shërbimet inteligjente i konfirmuan se Putin do të ndihmonte fushatën e tij. Lidhur me këtë, ai ka kundërshtuar çdo ndihmë të ofruar nga presidenti rus Vladimir Putin.
“Shërbimet inteligjente amerikane po na informon se Rusia do të ndërhyjë në këtë fushatë. Ajo çka dua t’i them Putin është se kjo nuk do të jetë e mundur”, – tha Bernie Sanders.
Rusia mohoi faktin se do të ndërhynte në fushatën presidenciale amerikane për të rritur shanset e rizgjedhjes së Trump. Nga ana tjetër, social-demokrati Sanders konsiderohet garuesi kryesor nga partia e demokratëve për zgjedhjet presidenciale në SHBA. Në fjalimin e tij ai u shpreh se nuk ishte e qartë se si Rusia synonte të ndërhynte dhe se ishte informuar për këtë vetëm një muaj më parë.
Në vitin 2017, dy javë para se Donald Trump të bënte betimin si president, zyra e Drejtorit të Zbulimit Kombëtar, James Clapper bëri publik një përfundim që kishin arritur së bashku CIA, FBI-ja dhe Agjencia e Sigurisë Kombëtare sipas së cilit, Vladimir Putin ishte përpjekur t’i siguronte fitoren zotit Trump.
Sipas këtij përfundimi presidenti rus kishte shfaqur një preferencë të hapur për zotin Trump dhe synonte t’i rriste shanset e tij për t’u zgjedhur, duke diskredituar zonjën Clinton.