Presidenti i Parlamentit Evropian, z. David Sassoli ndodhet sot në Tiranë, ku po zhvillon një vizitë dyditore. Gjatë takimit me kryeministrin shqiptar, Edi Rama, dy liderët dolën në një konferencë për shtyp, ku z. Sassoli foli edhe një herë për zhgënjimin e Shqipërisë për moshapjen e negociatave.
“Ndodhi një ngadalësim përpara fundit të viti, por procesi i i anëtarësimit duhet të fillojë. Është i bindur për këtë Parlamenti, Komisioni Europian, janë të bindura shumë shtete anëtare, ashtu sikurse unë se kjo është vetëm një vonesë, por që po mbushet edhe nga nismat të mëdha të rëndësishëm nga ana e qeverisë si lufta kundër krimit, rikuperimi, rimarrja e kapitalit, çështjet që kanë të bëjnë me vënien në siguri të hapësirë shqiptare janë nisma këto, që jo vetëm i shikojmë më favor, por janë objektivisht të domosdoshme.
Kemi parë me këtë vendosmëri se si ka rifilluar dialogu në përpjekje brenda një kohe shumë të shkurtër për të pasur konsensusin e nevojshëm për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë. Ju e dini zhgënjimin që ndjetë, ka ndjerë shoqëria civile shqiptare, të njëjtin që kemi ndjerë edhe ne, por tani duhet të kapërcejmë disa pyetje që i janë bërë Shqipërisë, dhe sigurisht kemi kohën e duhur, hapësirë për t’i bërë në mënyrë që përgjigjet të jenë pozitive dhe t’i bindin të gjithë për atë rrugë që duhet ta bëjmë së bashku, sepse kemi një fat të përbashkët dhe një të ardhme të përbashkët”-tha z. Sassoli.
Presidenti i PE foli gjithashtu për dëmet që iu shkaktuan Shqipërisë nga tërmeti dhe tha se BE do të vazhdojë të mbetet pikë referimi për rindërtimin.
“BE-ja u tregua e gatshme dhe me ndihmat, dhe tani duhet të fillohet me fazën e re në të cilën nuk duam të tërhiqemi mbrapa, por duhet të jemi një pikë referimi, por edhe për t’u përpjekur qe të kemi fonde të mjaftueshëm për të rregulluar territoret e goditura nga tërmeti.
E dimë pra, që do të jetë e vështirë që të shërojmë plagët e njerëzve, por për sa i përket anës materiale do të punojmë me shumë vendosmëri dhe me shumë kurajë. Kemi një të ardhme drejt së cilës duhet të shohim së bashku dhe për këtë, Parlamenti Europian ka shumë për zemër që të këtë vëmendje ndaj Shqipërisë dhe institucioneve të saj. Është një vend i rëndësishëm jo vetëm sepse laget nga Deti Adriatik, por sepse është në zëmër të Ballkanit Perëndimor dhe është duke kryer një punë të çmuar” -theksoi z. Sassoli.
Kryeministri i vendit, z. Edi Rama vuri në dijeni kreun e Parlamentit Europian për masat që ka ndërmarrë qeveria për goditjen e pasurive të paligjshme. Duke folur për operacionin forca e ligjit dhe paketën e anti-KÇK, shefi i qeverisë shqiptare pohoi se këto masa nuk merren thjesht se i kërkon Brukseli apo Berlini, por shtoi se kjo punë bëhet për ta kthyer Shqipërinë në një vend me standarde europiane.
“Operacioni Forca e Ligjit dhe paketa “anti-KÇK”, është prova e sigurt e faktit se pavarësisht se negociatat nuk u hapën në tetorin e vitit të kaluar edhe pse ne e meritonin hapjen e tyre, puna jonë vazhdon njësoj sikur negociata të ishin hapur, sepse është një punë që nuk bëhet se na e kërkojë në Bruksel apo në Paris apo Berlin, por se na e kërkon domosdoshmëria për ta kthyer Shqipërinë në një shtet me të gjithë standardet e Bashkimi Europian.
Njerëzit është e rëndësishme që të kuptojnë se përtej faktit që me të drejtë nuk kanë durim pasi kanë shumë vite që presin, ashtu siç ndodhi me reformën në drejtësi dhe siç po ndodh që po bëhet pastrimit i pallatit të drejtësisë nga gjykatësit dhe prokurorët e korruptua. Qoftë kjo iniciativë, janë siç themi ne ‘dardha e ka bishtin mbrapa’ se nuk mbaron me kaq. Nëse vettingu të përjashton nga sistemi i drejtësisë nuk mbaron me kaq.
Dhe për paketën, nëse zotërinjtë që thirren për të vërtetuar burimin e pasurisë së tyre nuk e vërtetojnë se nuk buron nga puna por nga krimi jo vetëm do të humbasin pasurinë dhe këtë pasuri do ta marrë mbrapsht populli shqiptar por do të hyjë në fazën tjetër, hetimi. Më para nuk mund të bëhej dot se nuk kishim SPAK. Nuk mund të bënim Operacionin Forca e Ligjit dhe t’ua çonim dosjet atyre të KÇK, gjykatësve e prokurorëve të korruptuar. Prokurorëve e gjykatësve që janë për të ikur? kështu që tani jemi në kushtet që kemi mekanizmat e parë të reformës në drejtësi”-theksoi z. Rama.
Kryetari i Partisë Demokratike, z. Lulzim Basha ka reaguar për paketën “anti-KÇK”, ku thotë se kryeministri Edi Rama gënjen shqiptarët sa herë ai hap gojën.
“Rama ka frikë nga hija e vet. Është tmerruar nga ligjet e veta.I rrethuar nga kriminelë e mafiozë, ai vazhdon ti mbrojë ata me gjithçka ka në dorë. Edi Rama gënjen sa herë që hap gojën; pretendon se po lufton krimin kur në fakt mishërimi më i qartë i KÇK është…vetë qeveria e tij”-shkruan ai.
[twitter_feed=https://twitter.com/EuronewsAlbania/status/1224309339508412416]
Në fokus të bisedimeve do të jetë çështja e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Kreu i Parlamentit Europian z. Sassolli gjatë pasdites pritet të mbajë një fjalim në Kuvend.
Në po të njëjtën ditë, në axhendën e zyrtarit të lartë evropian është parashikuar edhe takimi me Presidentin e Republikës, z. Ilir Meta.
Në ditën e dytë të qëndrimit në Shqipëri, kryetari i Parlamentit Europian z. David Sassoli do të takohet edhe me kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe kryetaren e LSI-së, Monika Kryemadhi. Ndërkohe, Shqipëria pret një dritë jeshile për hapje të negociatave në mars pas refuzimit që mori në tetor të 2019.