Skuadra e Schalke-s është rikthyer këtë të enjte në stërvitje, duke i dhënë fund përgatitjeve individuale të futbollistëve, në kushtet e shtëpisë. Në Gjermani ka një plan masash për të parandaluar përhapjen e COVID-19 dhe lojtarët janë të detyruar që të respektojnë distancën mes tyre. Sipas udhëzimeve nuk lejohet grumbullimi i disa personave së bashku, për këtë arsye stafi teknik ka bërë ndarjen e ekipit në grupe me nga dy persona.
Kampionati gjerman është ndërprerë të paktën deri më 30 prill, por nuk dihet me siguri nëse në fillimin e majit skuadrat do të rikthehen në aktivitet, pasi gjithçka do të varet nga situata me coronavirusin.
Schalke ndodhet në vendin e gjashtë me 37 pikë, pas 25 javësh kampionat.
Deri në përfundim të kampionatit kanë mbetur edhe 9 javë për t’u luajtur.