Sot nuk janë shtyrë vetëm seanca gjyqësore, por edhe ato të vetingut për policinë. Ndërsa pritej vendimi për Artan Shkëmbin, drejtor i Drejtorisë Hetimore Qendrore dhe drejtues i Operacionit Forca e Ligjit, që prej krijimit 2 vjet më parë, Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit e shtyu seancën.
Vendimi u mor me kërkese të Shkëmbit duke paraqitur si argument arsyet shëndetësore. Ndërkohë, në seancën dëgjimore ai rezultoi se kishte probleme sa i përket pasurisë.
Në seancë dëgjimore doli sot edhe Arben Caka, me detyrë drejtor i Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave për Tiranën, i cili gjithashtu rezultoi me disa parregullsi sa i takon pasurisë.
Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit do të verifikojë në 3 komponentë 31 zyrtarët më të lartë të Policisë.
Ky Komision përbëhet nga 15 anëtarë. Pesë anëtarë të këtij Komisioni janë nga ILDKPKI, pesë të tjerë nga pedagogë të Fakultetit të Drejtësisë dhe të Fakultetit të Ekonomisë së Universitetit të Tiranës, si dhe pesë të tjerë nga radhët e avokatëve. Komisioni i Jashtëm do të vlerësojë pastërtinë e figurës, pasurinë dhe profesionalizmin për drejtuesit e lartë te Policisë.