Qindra protestues janë mbledhur të premten në mbrëmje përpara ambasadës malazeze në Serbi, pas miratimit të ligjit të komuniteteve fetare në Mal të Zi disa orë më parë.
Kisha Ortodokse Serbe thotë se ligji rrezikon t’i heqë pronat e tyre, duke përfshirë manastire dhe kisha që nga periudha e Mesjetës.
Ligjvënësit pro-serb në parlamentin malazez u arrestuan të premten pasi tentuan të bllokonin votimin.
Ata hodhën një kanistër që në dukje kishte në përmbajtje gaz lotsjellës dhe gjithashtu u munduan të shkatërronin mikrofonat në parlament.
Policë të veshur si civil veshur me maska kundërgaz ndërhynë më pas duke arrestuar 22 persona, mes të cilëve dhe 17 deputetë të opozitës.
“Kjo nuk është parë kurrë në një demokraci dhe në një parlament që të arrestohen në mënyrë brutale deputetë serbë gjatë seancës plenare”, tha një nga protestuesit Nemanja Vuckovic.
Nga gjithë deputetët e arrestuar, vetëm tre janë ende prapa hekurave. Këta të fundit dyshohen se kanë sulmuar folësin e kuvendit dhe se e kanë parandaluar atë për të kryer detyrën e tij shtetërore, ka thënë policia.
Dy prej të arrestuarve, Andrija Mandic dhe Milan Knezevic, janë dënuar me 5 vite heqje lirie në maj, pasi kanë marrë pjesë në një grusht shteti të orkestruar nga Rusia në 2016 kundër kryeministrit të asaj kohe dhe presidentit aktual pro-Perëndimor Milo Djukanovic. Ata janë lënë të lirë dhe janë në pritje të apelit.
“Jemi gati të japim jetën për kishën tonë, dhe kjo është ajo çka duam të tregojmë sonte,” tha Mandic gjatë seancës plenare.
Ligji, i miratuar nga 45 deputetë të koalicionit qeverisës, kërkon nga komunitetet fetare që të paraqesin prova të pronësisë së tyre përpara vitit 1918, kur Mali i Zi iu bashkua Mbretërisë Ballkanike të drejtuar nga Serbët dhe humbi pavarësinë.
Në shtetin fqinj, presidenti serb Aleksandar Vucic tha se ishte i shqetësuar, por se shpresonte se situata do të qetësohej duke shtuar se “vendet e shenjta të kishës sonë do të ruhen”.
Vucic premtoi se do e ndihmojë kishën serbe në Malin e Zi “pa djegur urat lidhëse”.
Gjithashtu të premten, pati një përplasje të shkurtër në parlamentin serb. Ligjvënësit nacionalist të opozitës mbanin banderola ku kritikohej “mungesa e përgjigjes nga Serbia për ngjarjet në Malin e Zi”.
Kisha Ortodokse Serbe në Malin e Zi e ka përshkruar ligjin si “diskriminues dhe jo kushtetues”. Kreu i Kishës Patriarku Irinej tha se autoritetet malazeze “duhet të ndalojnë menjëherë terrorin brutal kundrejt kishës, priftërinjve dhe besimtarëve”.
Me një popullsi prej 622 mijë banorësh, malazezët janë kryesisht të fesë ortodokse dhe kisha kryesore është Kisha Ortodokse Serbe, ndërsa Kisha Ortodokse Malazeze nuk njihet nga kishat e tjera.
Presidenti Milo Djukanovic ka akuzuar Kishën Ortodokse Serbe se promovon politika pro-serbe dhe kërkon të minojë legjitimitetin e shtetit që kur u nda nga Serbia në 2006.
Malazezët janë të ndarë mes tyre nëse shteti duhet të vijojë me lidhjet e ngushta me Serbinë. Rreth 30 për qind e popullsisë e identifikohen veten si serb dhe shumica ishin kundër ndarjes së tyre nga Serbia.