Sfida Kombëtare e Kodimit, organizuar nga Programi Rrugë Alternative i British Council në Shqipëri, me mbështetjen e Qeverisë Britanike, u mbajt të mërkurën në Tiranë. Kjo sfidë është një kurorëzim i një përpjekje disa mujore për aftësimin e të rinjve dhe promovimin e talentit dhe krijimtarisë së nxënësve në Veriun e Shqipërisë, përmes ngritjes së Klubeve të Kodimit dhe trajnimit të mësuesve dhe nxënësve për përdorimin e pajisjeve microbit.
Ky aktivitet bashkoi 16 shkolla të mesme nga qytetet Dibër, Kukës, Mat, Bulqizë, Klos, Has, Tropojë dhe Malësi e Madhe, fituese të çmimeve të para dhe të dyta në sfidat lokale të kodimit. Nxënësit e moshës 15-18 vjeç prezantuan projekte inovative të realizuara me pajisjet micro:bit, duke synuar zgjidhjen e problematikave në fushën e mjedisit, turizmit, energjisë dhe infrastrukturës, në përputhje me Qëllimet e Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDGs).
Nathan Dan, përfaqësues i Ambasadës Britanike, tha: “Pjesëmarrja në Sfidën Kombëtare të Kodimit është kulmimi i një periudhe të gjatë pune nga të rinjtë dhe mësuesit. Ky është një moment i rëndësishëm për të menduar mbi sfidat e komunitetit dhe se si teknologjia mund të përshpejtojë zgjidhjet inovative. Teknologjia është tashmë pjesë e pandashme e jetës sonë personale, akademike dhe profesionale.”
Një panel ekspertësh, duke përfshirë specialistë të kurrikulës, profesionistë të ICT-së dhe përfaqësues nga programi Chevening Fellows dhe bizneset, ndanë dhe çmimet për shkollat. Vendin e parë e fitoi shkolla “Hoxhë Zogu” nga Tropoja, çmimi që u dha nga Zv. Ministrja e Arsimit, znj. Oriana Osmani.
Gjatë eventit u ndanë edhe çmimet për të rinjtë inovativë, të përzgjedhur nga vetë shkollat.
Ky konkurs përfaqëson një kurorëzim të punës së palodhur të të rinjve, duke treguar se ata janë jo vetëm të talentuar dhe të aftë teknologjikisht, por edhe të motivuar për të ndërmarrë ndryshime pozitive për veten, familjet dhe komunitetet e tyre.
LEXONI GJITHASHTU:
- Nis bojkoti i mallrave amerikane në Grenlandë për shkak të deklaratave të Trump
- Aksident në Bulqizë, humb jetën 59-vjeçarja