BE-ja ka nisur strategjinë e ekonomisë qarkore, një përpjekje për të shtuar përdorimin e materialeve bruto dhe riciklimin/riparimin e produkteve.
Plani përfshin politika që: të garantojnë jetëgjatësi më të madhe të produkteve; t’u ofrohet më shumë informacion konsumatorëve për se sa e mundur është që të riparohet një produkt; si dhe të përmirësohet mënyra se si trajtohen mbetjet, sidomos për sendet elektronike.
“Duam t’i transformojmë këto sektorë në sisteme qarkore, ku mbetjet pakësohen në minimum. Nëse mbetjet nuk mund të shmangen, atëherë duhet të riciklohen në burime të dobishme. Meqenëse Europa nuk është e pasur me burime natyrore, ekonomia qarkore do ta forconte imunitetin e ekonomisë ndaj sfidave gjeopolitike”, tha Virginijus Sinkevičius, Komisioneri Europian për Mjedisin, Oqeanet dhe Peshkimin.
Edhe pse grupimet ekologjike janë të kënaqura që BE-ja po e merr seriozisht ekonominë, kanë qortuar mungesën caktimit të objektivave të qarta.
“Plani i ri i veprimeve përmban propozime të tjera që janë kyçe për transformimin në një ekonomi qarkore, si: premtimi për t’iu adresuar zinxhirëve kyç që lidhen me krijimin e vlerës së produktit; synimet për të ulur mbetjet; dhe rishikimi i rregullave të transportit të mbetjeve. Megjithatë, mungojnë ende shumë pjesë të domosdoshme të këtij rebusi: objektivat e qarta për uljen e konsumit, dhe, është zhgënjyese, por Komisioni Europian e sheh në mënyrë shumë sipërfaqësore çështjen e ndryshimit të çmimit për të nxitur përdorimin e produkteve të riciklueshme”, tha Bas Eickhout, deputet i të gjelbërve holandezë, në një deklaratë për shtyp.
Rrethi i jetës
BE-ja është treguar e ngadaltë për sa i përket përfshirjes së tekstileve në modelin e ekonomisë qarkore, edhe pse ai sektor ndot më shumë se transporti i avionëve dhe i anijeve bashkë. Qytetarët europianë blejnë çdo vit më shumë se 12 kg rroba për kokë, prodhimi i të cilave lëshon 195 milionë ton dioksidi karboni dhe harxhon 46 milionë metra kub ujë.
Shkuam në Belgjikë për të parë se si ndjekësit e modës kaluan nga “moda e shpejtë” te dizenjot që kujdesen për ekologjinë.
Valeri Berkman është një stiliste që ushtron parimet e ekonomisë qarkore. Ajo e përdor atelienë dhe dyqanin si laborator riciklimi. Materialet e mbetura kthehen në veshje për fëmijë, veshje intime ose peceta sanitare.
Është hera e parë që Komisioni Europian i përfshin tekstilet si përparësi kur harton planin e veprimit për ekonominë qarkore. Megjithatë, plani ka dhënë shumë pak detaje. Valeri thotë se nevojiten me urgjencë masa të posaçme financiare.
Ajo është gjithashtu e shqetësuar për ndikimin shoqëror që do të ketë moda, për mungesën e etikës nga kompanitë e mëdha që shpesh shfrytëzojnë forcën punëtore në vendet e varfra. Ajo bashkëpunon me disa punishte vendase për të realizuar prodhimin, të cilat gjithashtu e kanë të vështirë të rrinë në treg.
Por ashtu si plastika, ushqimi dhe elektronika, industria e riciklueshme e modës është jetike për të luftuar ndryshimet e klimës.
Klub me dyer të mbyllura?
Ekipi i Ursulës ka krijuar një linjë të re që do të ndiqet për anëtarësimin në BE. Le të vlerësojmë strategjinë e saj në fund të ditës së 100-të.
Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut ishin dy vende kandidate që këtë tetor nuk morën ndonjë përgjigje përfundimtare, pasi Holanda, Danimarka dhe Franca ua bllokuan negociatat për anëtarësim.
Franca tha se nuk mund të bëhet zgjerimi nëse BE-ja nuk rishikon strategjinë.
Komisioni Europian, me stafin e ri, publikoi këtë dokument në shkurt, që thoshte:
“Po punojmë që negociatat të realizohen sa më parë. Ky ishte hapi i parë. Kemi ende shumë punë për të bërë. Por ishte një hap i rëndësishëm për të rifilluar të gjithë procesin. Duam t’i bindim të gjithë që ky proces është diçka e mirë. Europa ia ka nevojën këtij procesi, dhe ne duhet ta bëjmë bashkërisht”, tha Olivér Várhelyi, Komisioneri i BE-së për Zgjerim dhe Fqinjësi të Mirë.
Tani për tani janë pesë vende kandidate për në BE. Serbia dhe Mali i Zi mund t’i mbarojnë bisedimet për anëtarësim deri në vitin 2025. Negociatat me Turqinë janë bllokuar për shkak të konflikteve politike. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut po presin që të hapin negociatat.
Me metodologjinë e re, BE do të përqendrohet mbi disa pyetje thelbësore, si rendi ligjor, demokracia dhe ekonomia.
Komisioni mendon se udhëzimet e tyre mund ta përshpejtojnë procesin.
“Mendoj se pyetja e madhe nuk është se çfarë do të bëjë Komisioni, por se çfarë do të bëjnë udhëheqësit e BE-së kur të takohen në mars. E dimë që ka mbështetje të madhe për nisjen e bisedimeve me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Kemi tre vende që i kanë bllokuar. Pyetja e madhe është nëse kemi bërë mjaftueshëm në javët e fundit për t’i bindur këto tre shtete, apo që t’i bëjmë të kuptojnë se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk do të futen në BE, por do të nisin një procedurë përgatitjeje që do të zgjasë për shumë vite të tjera. Nuk mendoj se është në dorë të Komisionit. Do të shohim se ç’do të vendosë Parisi”, shpjegoi Kati Piri, eurodeputetja holandeze, autore e raportit të Parlamentit Europian për Turqinë.
Tani që presidenca kroate e ka mbajtur çështjen e zgjerimit si përparësi, udhëheqësit do ta diskutojnë strategjinë e zgjerimit te Këshilli Europian që do të mbahet në mars.
Veç kësaj, në muajin maj do të mbahet një samit i posaçëm BE-Ballkan, në Zagreb të Kroacisë.
Mbajtja nën kontroll e coronavirusit
Ekonomia e tretë më e fuqishme e BE-së ka mbyllur të gjitha veprimtaritë. Franca ka anuluar shumicën e veprimtarive, ndërkohë që Spanja dhe Gjermania po mbyllin shkollat dhe spitalet.
COVID-19 nuk është ndalur nga kufijtë e kombeve, por krizat janë paraqitur të ndryshme në vende të ndryshme.
Kjo është e kuptueshme në shumë mënyra, pasi çdo shtet i BE-së është në faza të ndryshme të krizës. Kujdesi shëndetësor është kompetencë e çdo vendi në mënyrë individuale, jo e Brukselit.
Por pasojat variojnë, dhe kështu ndikojnë jo vetëm sistemet e shëndetësisë, por edhe ekonomitë, bizneset dhe lëvizjen e lirë të popujve.
Një eurodeputet ka deklaruar se kjo ishte sprova më e madhe e solidaritetit europian për një brez të tërë.
Deri tani…?
Sllovenia e ka mbyllur plotësisht kufirin me Italinë. Hungaria ka njoftuar të njëjtën gjë.
Belgjika ka akuzuar Gjermaninë se ka bllokuar materiale spitalore, ndërsa ambasadori italian në BE, Maurizio Massari, tha se Brukseli duhet të shkojë përtej konsultave e angazhimeve, dhe të ndërmarrë veprime konkrete që të jenë të shpejta dhe të sakta.
Italia ndien se Kina ka ofruar më shumë mbështetje se BE-ja në disa fusha. Kina do t’i shesë Italisë 1000 ventilatorë mushkërish, 2 milionë maska, 20.000 kostume mbrojtjeje dhe 50 mijë tamponë për teste coronavirusi.
Brukseli u përpoq ta marrë situatën në dorë këtë të martë, teksa udhëheqësit e BE-së u takuan në një telekonferencë. Mes premtimeve të shumta u caktuan edhe miliarda euro për sektorët e shëndetësisë. Veç kësaj, u premtuan lehtësime ligjore në lidhje me ndihmën që mund t’u japin qeveritë kompanive private, si dhe një zbatim i saktë i tregut unik, në mënyrë që të mos bllokohet kalimi i pajisjeve mjekësore.
Banka qendrore europiane pritet të njoftojë masa të tjera këtë të enjte. Por a është shumë vonë? Pak shenja ka se do të mbyllen kufijtë, një veprim që e kanë kundërshtuar si Franca, ashtu dhe Gjermania. Por ajo që dihet me siguri është që kriza pritet të përkeqësohet, dhe kjo do ta sfidojë solidaritetin edhe më shumë.
Pyetja është nëse do të arrijë BE-ja ta kalojë testin e solidaritetit.