Në shkollat fillore të Kumanovës, do të futet si lëndë mësimore shahu. Loja strategjike mes dy personave është tashmë një lëndë për nxënësit e klasave të para dhe të dyta në kuadër të procesit mësimor.
“Tani kemi vetëm mësimin e figurave dhe parimet themelore të lojës…Interesi i tyre është i madh, dëshira është e madhe. Disa kanë njohuri për lëndën edhe prej më parë si nxënësit ashtu edhe prindërit,” – u shpreh mësuesja Arbana Islami.
Edhe pse të vegjël, shumica e këtyre nxënësve tashmë kanë mësuar teknikat dhe madje dinë edhe bazat e lojës.
Mbi 400 mësues tashmë janë trajnuar për të dhënë mësim të shahut.
“Në lëndën e shahut, ja vetëm dje në Shkup kishte një trajnim për mbi 100 profesorë, dhe deri më tani kemi arritur trajnimin e mbi 400 profesorëve. Ne si Federatë do të jemi në ndihmë të të gjithë institucioneve arsimore dhe nuk e kemi intencën tua mësojmë lojën e shahut por nëpërmjet shahut të zhvillohet imagjinata, inteligjenca e tyre,” – u shpreh kryetari i Federatës së Shahut, Agim Shemshiu.
Përfitimet për nxënësit janë të shumta, thotë drejtori i shkollës fillore Naim Frashëri ndërsa shahun në këtë shkollë nxënësit e mësojnë edhe nëpërmjet pajisjeve dhe aplikacioneve digjitale.
“Ndikon tek koncentrimi i fëmijëve. Përqendrimi gjatë procesit edukativo –arsimor, por luan edhe rol të madh në zhvillim psikik tek fëmijët. Mendoj se gjithë së bashku duke filluar nga Federata, arsimtarët por edhe ne si udhëheqësi e shkollës do të mundohemi që të gjitha këto të realizohen,” – tha drejtori i shkollës, Muhamed Zeqiri.
Maqedonia e Veriut, praktikën dhe mësimin e ka bazuar në përvojat e huazuara nga Polonia dhe Anglia ku shahu tashmë aplikohet si lëndë në procesin arsimor. Armenia është shteti i vetëm në botë ku shahu është i obligueshëm nëpër shkolla.
LEXONI GJITHASHTU:
- Ylli i shahut padit rivalin me 100 mln dollarë pas akuzave për mashtrim
- Gjeniu i shahut, 8-vjeçari kampion i Ballkanit, por mungon mbështetja e shtetit