Ambasada Amerikane dhe Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë kanë përshëndetur miratimin e paketës ligjore anti-KÇK nga qeveria shqiptare.
Në reagimin e bërë nga zyra e Ambasadës Amerikane në Tiranë, thuhet së SHBA do të ndjekin me interes të madh zbatimin e ligjit që synon goditjen e krimit të organizuar.
“Ndërsa vazhdon zbatimi i reformave të rëndësishme të drejtësisë, Shtetet e Bashkuara mirëpresin përpjekjet e intensifikuara nga Qeveria e Shqipërisë për të parandaluar krimin e organizuar që të përdorë pasurinë e paligjshme për të minuar themelet e shtetit ligjor.
Mekanizmat e përforcuar për zbatimin e ligjit duhet edhe të mbështesin institucionet e reja të drejtësisë të ngarkuara me ndjekjen penale të krimit të organizuar, edhe të harmonizohen me standardet e procesit të drejtë ligjor. Ne do të vazhdojmë ta ndjekim zbatimin e këtij ligji me interes te madh”, thuhet në deklaratën e ambasadës amerikane.
Ndërsa në deklaratën e bërë nga delegacioni i BE-së bëhet thirrje që zbatimi i kësaj pakete ligjore të bëhet përmes institucioneve të krijuara nga reforma në drejtësi dhe sidomos SPAK.
“Ndiq paratë” ka provuar se është një mënyrë shumë e efektshme për të luftuar konkretisht organizatat kriminale. Ligji special i miratuar nga Qeveria e Shqipërisë, që prezanton masa të reja parandaluese për forcimin e luftës kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit, shkon në këtë drejtim dhe tregon vullnet politik për të trajtuar këtë problem.
Ne do të ndjekim nga afër zbatimin konkret të aktit normativ. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që masat e reja ligjore të zbatohen në respekt të plotë të të drejtave themelore të të akuzuarve dhe në përputhje me parimet e shtetit të së drejtës. Është gjithashtu e rëndësishme që këto masa të reja të ndiqen përmes institucioneve të krijuara nga reforma në drejtësi, në veçanti SPAK-un.
Ne vazhdojmë ta inkurajojmë Qeverinë e Shqipërisë që të rrisë më tej përpjekjet e saj për zbatimin e plotë të reformës në drejtësi dhe forcimin e shtetit të së drejtës”, përfundon reagimi i delegacionit të BE-së.
Për këtë ligj, ka reaguar edhe kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha. Në deklaratë të shpërndarë në Twitter, lideri i opozitës thotë se qeveria e Ramës ka dëshmuar në 7 vite se nuk mund të luftojë krimin.
“Pas 7 vitesh dështim, një gjë është e qartë. Edi Rama dhe qeveria e tij nuk mund të luftojnë krimin dhe korrupsionin sepse ata janë vetë krimi dhe korrupsioni. KÇK nuk mund të luftojë KÇK”, shprehet z. Basha.