Shtetet e Bashkuara të Amerikës do t’i mundësojnë sistemit shëndetësor shqiptar 30 mijë kite testimi për COVID-19. Teksa falenderon partnerin strategjik të Shqipërisë për këtë ndihmë, kreu i demokratëve Lulzim Basha këmbëngul në faktin se testimi dhe izolimi janë e vetmja mënyrë për të ndërprerë zinxhirin e infeksionit dhe për të mposhtur virusin.
“Sot në #WorldHealthDay mirënjohja e zemrave tona i shkon gjithë personelit shëndetësor që po përballet prej një muaji me pandeminë e COVID 19. Ata janë garancia dhe forca jonë, bashkë me të cilët do ta fitojmë këtë betejë.
Ata sot kanë nevojë për mbrojtje, paisje, mbështetje. Sot dua të shpreh falenderimin tim për ndihmën financiare të aleatëve tanë strategjikë SHBA ,e cila do ti mundësojë sistemit shëndetësor 30 mijë kite testimi aq shumë të domosdoshëm në këtë betejë. Testimi dhe izolimi janë e vetmja mënyrë për të ndërprerë zinxhirin e infeksionit dhe për të mposhtur virusin”, shkruan kryedemokrati në Facebook.
Edhe kryeminitri Edi Rama ka shprehur falenderimet e tij ndaj SHBA, po ai nga ana e tjeter i qëndron mendimit se numri i testeve nuk është tregues dhe se ai përcaktohet vetëm nga Komiteti Teknik.
“Patjetër na lumturon reagimi pozitiv i SHBA për ta adresuar ndihmën bujare në funksion të stokut të testeve!Po kjo s’dmth fare se numri i testeve që bëhen kushtëzohet nga stoku.Nqs Komiteti Teknik do thoshte 2000 teste në ditë do kishte 2000 në ditë! LBPD vazhdon ia fut kot.PIKË!”, shkruan kryeministri në Twitter.