Shtetet e Bashkuara kanë akuzuar 4 oficerë të ushtrisë kineze për një sulm kibernetik të kryer ndaj kompanisë së kreditimit “Equifax”. Prokurori i përgjithshëm Uilliam Berr ka deklaruar se bëhet fjalë për hakerimin më të madh të të dhënave në histori.
“Sikurse thuhet në padi, hakerat siguruan emrat, ditëlindjet dhe numrat e sigurimit social të thuajse 150 milionë amerikanëve dhe të dhënat e patentave të të paktën 10 milionë të tjerëve.
Katër anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare Kineze dyshohen se kanë komplotuar për të sulmuar sistemin kompjuterik të Equifax, me qëllim spiunazhin ekonomik”- tha Prokurori i Përgjithshëm i SHBA.
Të akuzuarit dyshohen se ndryshuan trafikun kompjuterik përmes 34 serverave në 20 vende të ndryshme në përpjekje për të fshehur vendndodhjen e tyre. Vendndodhja e të dyshuarve nuk dihet dhe ka pak gjasa që ata të gjykohen në Shtetet e Bashkuara.