Departamenti Amerikan i Shtetit u ka rekomanduar amerikanëve të shmangin të gjitha udhëtimet ndërkombëtare, teksa pandemia sa vjen e thellohet.
Departamenti e ngriti nivelin e rekomandimit të udhëtimit në 4, më i larti i rrezikshmërisë, zakonisht i rezervuar për vende në zona lufte, ose me probleme të mëdha.
Numri i të infektuarve me COVID-19 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka arritur në 10,442, me një total prej 150 vdekjesh, sipas shifrave zyrtare të bëra publike deri më tani nga Qendra e Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve.
Virusi potencialisht vdekjeprurës ka detyruar vende të shumta të botës të anulojnë eventet e rëndësishme që ishin planifikuar për këtë vit, duke i shtyrë ato për një moment tjetër.
Kjo ka ndodhur edhe me samitin e 7 vendeve më të industrializuara, njohur si G7-a, ku pjesëmarrës janë Britania, Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia dhe Shtetet e Bashkuara. Samiti pritej të mbahej në qershor, në Kamp Dejvid, në very-veriperëndim të Uashingtonit.
Kriza e shkaktuar nga coronavirusi i ri ka detyruar guvernatorin e Kalifornias të shpall urdhërin “qëndro në shtëpi” për 40 milion banorët e saj, në përpjekje për të ndaluar armikun e padukshëm të fitojë territorr dhe të përhapet më tej në komunitet.
Ligjvënësit Republikan nga ana tjetër, kanë plan stimulus me vlerë 1 trilion dollar, në të cilin do të përfshihet dhënia e çeqeve në formë të parave të gatshme për shtetasit amerikan.
Negociatat mes Republikanëve dhe Demokratëve për planin në fjalë, pritet të zhvillohen më vonë gjatë ditës së sotme në Senat.
New Yorku është një tjetër shtet Amerikan që po sheh një rritje të numrit të të infektuarve me COVID-19.
Guvernatori Andrew Cuomo, u bëri thirrje të gjitha bizneseve që merren me estetikën, ti mbyllin ato, ndërsa nga punëdhënësit kërkoi që të reduktonin prezencën e stafit në zyra apo ambiente të tjera me të paktën 70 përqind.