Pas tensioneve të shtuara ditët e fundit SHBA-të shprehen se janë gati të angazhohen në negociata serioze me Iranin. Një kërkesë të tillë Washingtoni ia ka dërguar përmes një letre Kombeve të Bashkuara, ku shpjegon edhe vendimin se përse u vra gjenerali iranian Qasem Soleimani duke e konsideruar një akt vetëmbrojtjeje.
Në letër ambasadori amerikan në OKB Kelly Craft është shprehur se SHBA është gati të negociojë me qëllim që të parandalojë rrezikimin e paqes dhe të sigurisë ndërkombëtare.
Një kërkesë e tillë e SHBA-ve bëhet me dije vetëm një ditë pasi Irani sulmoi dy baza ushtarake amerikane në Irak për të cilat pati reagime nga presidenti Donald Trump por edhe nga Lideri Suprem i Iranit, Khamenei.
Ky i fundit e përshkroi sulmin një shuplakë për SHBA duke bërë thirrje që t’i jepet fund prezencës së forcave amerikane në Lindjen e Mesme. Kreu i Shtëpisë së Bardhë kërkoi më shumë bashkim me shtetet europiane për t’i dhënë fund marrëveshjes bërthamore me Iranin dhe se ishte i hapur për dialog.
Nga ana tjetër Presidenti Trump përballet me Dhomën e Përfaqësuesve ku synohet të votohet për të kufizuar fuqinë e kreut të shtetit për të zhvilluar luftë kundër Iranit pa miratimin specifik nga Kongresi.