Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Izrael, David Fridman i bëri thirrje qeverisë izraelite të mos ndërmarrë veprime të njëanshme pa marrë parasysh rekomandimet e Shtëpisë Bardhë mbi aneksimin e territoreve në Bregun Perëndimor
I dërguari i Shteteve të Bashkuara, David Friedman paralajmëroi Izraelin që të mos e shpallë sovranitetin në Bregun Perëndimor pa konsensusin e Uashingtonit, duke kritikuar thirrjet për veprim të menjëhershëm të ultra-nacionalistëve dhe koalicionit të kryeministrit Netanjahu.
Plani i paqes i presidentit amerikan Donald Trump, i publikuar më 28 janar, parashikon që Izraeli të mbajë zonat kyçe të territoreve të pretenduara nga palestinezët, por nuk përmbante afate kohore, gjë që ka krijuar një fërkim mes dy aleatëve.
Netanjahu fillimisht u zotua për një aplikim të shpejtë të ligjit Izraelit, që do të thotë një aneksim de fakto i kolonive hebraike dhe Luginës së lumit Jordan, duke kënaqur kështu bazën e tij të djathtë në prag të zgjedhjeve të reja të 2 marsit, ku ai kërkon mandatin e pestë.
Por ai u detyrua të tërhiqet pasi Shtëpia e Bardhë e bëri të qartë se dëshironte një proces hartimi të përbashkët amerikano-izraelit, që ka gjasa të marrë edhe disa javë. Palestinezët nga ana e tyre e kanë refuzuar planin e Trump, duke e quajtur jofunksional.