Në Las Vegas të SHBA-ve është parë një tufë pëllumbash me kapelën simbol të presidentit Donald Trump, e kuqe dhe me mbishkrimin “MAGA”, inicialet e shprehjes së tij “Ta bëjmë Amerikën sërish të fortë”.
Pëllumbat duket se janë një formë proteste tallëse, para se të bëhet takimi i Partisë Demokratike në shtetin e Nevadas, ku do të diskutojnë kandidatët për zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.
Përgjegjësinë për këtë “protestë” e ka marrë përsipër një grup që quhet “P.U.T.I.N”. Këto janë inicialet e shprehjes “Pigeons United To Interfere Now”, që do të thotë “Pëllumbat e bashkuar për të ndërhyrë tani” me zgjedhjet amerikane.
Grupi i la pëllumbat të lirë nëpër qytet, dhe thotë se shumë prej tyre janë kthyer në shtëpi.
[twitter_feed=https://twitter.com/MaxNews3LV/status/1230265898910408704]
Ndërkohë, grupe që mbrojnë të drejtat e kafshëve, si “Lofty Hopes”, një organizatë në Las Vegas për mbrojtjen e pëllumbave, thotë se kjo metodë është një tjetër rast mizorie ndaj gjallesave.
“Në dhjetor u lëshuan tre pëllumba me kapelat e kuqe në kokë, dhe shtypi e pa si diçka komike ndërsa policia nuk bëri asgjë. Tani, numri i pëllumbave është shtuar dhe kemi arritur në këtë pikë. Kur do të ndalojë? Kush do të bëjë diçka për këtë?”, tha këtë të enjte Maria Hillman, drejtuese e “Lofty Hopes”.
Hillman dhe aktivistë të tjerë për mbrojtjen e kafshëve po ngrenë kurthe nëpër qytet që të kapin pëllumbat, t’ua heqin kapelat dhe t’i lënë prapë të lirë.