Kuvendi i Kosovës mblidhet sot në orën 15:00 për të diskutuar lidhur me deklaratat e ardhura nga funksionarë të ShBA për të tërhequr trupat nga Kosova si masa ndëshkuese për mos heqjen e tarifës 100 ndaj mallrave serbe.
Senatori amerikan, David Perdue, përmes një shkrimi në “Twitter” ka propozuar rishqyrtim të pranisë së saj në Kosovë.
“Nëse Kosova nuk është plotësisht e përkushtuar për paqe, atëherë SHBA duhet të rishqyrtojë praninë e saj atje”, ka shkruar senatori Perdue.Donald Trump Junior, djali i Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, ka mbështetur këtë deklaratë në “Twitter”, duke theksuar se “është koha që t’i kthejmë trupat në shtëpi”.
Edhe i dërguari i presidentit Trump për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, ambasadori Richard Grenell, e ka mbështetur deklaratën e senatorit Perdue në Twitter. Grenell vazhdimisht ka kërkuar që qeveria Kurti t’i shfuqizojë në tërësi masat tarifore dhe të mundësojë vazhdimin e dialogut me Serbinë.
Po ashtu, deklarata e senatorit Perdue u mbështet edhe nga llogaria zyrtare në “Twitter” e Këshillit për Siguri Kombëtare në SHBA.
Pas paralajmërimeve nga zyrtarët amerikanë për mundësinë e tërheqjes së trupave nga Kosova, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi se nëse trupat amerikane tërhiqen nga Kosova, ky vendim nuk ka të bëjë me tarifën 100 për qind, por me një reduktim të trupave që SHBA-ja e ka bërë edhe në Afganistan dhe Siri
Kurti tha se nuk ka informata në lidhje me disa lajme ende të pakonfirmuara që në kuadër të sfidave të mijëvjeçarit, SHBA tashmë i ka anuluar disa projekte për Kosovën në vlerë prej dhjetëra miliona euro.
“Ne duam marrëdhënie edhe më të mira me SHBA-të I kemi aleatë dhe partnerë të pazëvendësueshëm në aspektin ekonomik, politik, gjeopolitik, kulturor ushtarak dhe të tjera. Natyrisht zyrtarë të ndryshëm tek ne mund të kenë diferenca, por nuk besoj se këto diferenca nuk do të shndërrohen në kundërthënie apo antagonizma të papajtueshëm”, tha Kurti.
Ndërkohë Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka kërkuar që Qeveria e Kosovës, urgjentisht të marrë vendime në përputhje me kërkesat e SHBA-së. Ai është shprehur se konfrontimi me Uashingtonin është i dëmshëm “dhe një gabim i pafalshëm në historinë moderne të Kosovës”.
“Unë mendoj dhe se kam besim të plotë se relacioni me SHBA nuk do të mbetet pre e hujeve dhe tekave apo aspiratave të një politike të ngurtë dhe elektorale ditore, por do të kemi një fokus të vendimmarrjeve të shpejta, të qarta, të kultivimit dhe forcimit të partneritetit strategjik me SHBA. e ritheksoj, ne të gjithë liderët politikë të Kosovës jemi të zëvendësueshëm, partneriteti strategjik me SHBA është i përjetshëm”-tha Thaçi.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, thotë se marrëdhëniet me SHBA-në janë në fazë kritike.
“S’ka tarifë as reciprocitet që vë në peshojë marrëdhëniet me aleatin tonë kryesor. Konsideroj se nuk ka zë të popullit në Kosovë që rrezikon dhe i vë në pikëpyetje relacionet me SHBA”, shkruan Mustafa.
Ndërkaq, kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli tha se deklarata e senatorit Perdue, për rishikimin e pranisë ushtarake amerikane në Kosovë “është më shumë se serioze”. Kreu i PDK-së njoftoi se kanë thirrur seancë të jashtëzakonshme për ditën e sotme duke nisur nga ora 15:00. Që nga nëntori i vitit 2018, kur u vendos taksa 100 për qind nga qeveria Haradinaj, Beogradi zyrtar ka refuzuar të vazhdojë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.