Presidenti amerikan, Donald Trump, njoftoi se urdhri për të ruajtur distancimin social do të ruhet deri më 30 prill, për shkak të krizës së coronavirusit.
Një javë më parë, Trump tha se priste ta shihte të gjithë vendin në gjendje normale për pashkë, më 12 prill, edhe pse ekspertët e shëndetësisë kishin paralajmëruar se heqja e kufizimeve para kohe do ta sillte shtim të vdekjeve dhe dëme ekonomike.
Presidenti tha këtë të premte se do të këshillohej me ekspertët më të mirë të administratës në lidhje me masat që duhen marrë për të ngadalësuar përhapjen e coronavirusit.
Por të dielën, Trump tha se deklarata për t’i hequr kufizimet për pashkë kishte qenë thjesht një shpresë e mundshme, dhe se tani pret që të ndodhin gjëra vërtet të mëdha duke nisur që nga data 1 qershor.