Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave pranë Ministrisë së Brendshme ka arrestuar ditën e djeshme 17 persona, mes tyre zyrtarë policie dhe përfaqësues të pushtetit vendor.
Policia e Shtetit thekson se arrestimi i këtyre personave është kryer pasi dyshohet se efektivët kanë lejuar ndërtimet e banesave pa leje në zonën e Durrësit, Manzës dhe atë të Shijakut.
Hetimi në ngarkim të të arrestuarve ka zgjatur disa muaj, ndërsa policia thotë se veprimtaria e tyre është dokumentuar me metoda speciale në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Rrethit të qytetit të Durrësit. Sipas policisë, ndaj 17 personave të arrestuar rëndojnë akuzat e “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Ndërtim i paligjshëm i kryer në bashkëpunim”.
“Drejtoria Rajonale e Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) Durrës, në bashkëpunim e nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, finalizoi me sukses operacionin e koduar “ABUZUESIT”, në funksion të procedimit penal të nisur në vitin 2019 për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës“ për një sërë zyrtarësh policorë, inspektorë vendor, përfaqësues të pushtetit lokal e ndërtues” ”, thuhet mes tjerash në njoftimin e Policisë së Shtetit.