Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, tha se furnizimi me armatime i zonave të luftës në Libi, Siri dhe Jemen është në kundërshtim të plotë me embargon e armëve dhe se ka kontribuar në atë që ai e cilësoi si “një erë marrëzie që po përfshin globin”.
Duke folur për shtypin në Nju Jork, Guterres ka veçuar armatimin e milicëve rivale në Libi si çelësi i një “rrethi vicioz” që po cenonte paqen dhe sigurinë në mbarë botën, edhe pse ai nuk vijoi të përmendë vendet që janë të përfshira në konfliktin në Afrikën e Veriut.
[twitter_feed=https://twitter.com/antonioguterres/status/1224824955713544192]
Guterres tha se zgjidhjet e propozuara nga Këshilli i Sigurisë në Libi, ku po zhvillohet një luftë civile midis forcave të kryeministrit Fayez al-Sarraj, i cili drejton një qeveri të njohur nga OKB-ja në Tripoli dhe Gjeneralit Khalifa Haftar, nuk po respektohen.
“Më duhet të them se jam shumë i irrituar me atë që po ndodh në Libi, dhe mendoj se është një skandal,” tha ai. “Ende shohim avionë që shkojnë, si në Misrata ashtu edhe në Benghazi.”
Komentet e tij kanë ardhur vetëm disa javë pasi mbajtjes së samitit të Berlinit, ku u mundësua takimi midis Haftar dhe al-Sarraj në një përpjekje për t’i dhënë fund konfliktit, faza e fundit e të cilit nisi dhjetë muaj më parë kur forcat e Haftarit, të mbështetura nga Franca, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara, tentuan të marrin kryeqytetin, Tripolin. Ndërkohë, Sarraj, ka mbështetjen e OKB-së, Turqisë dhe Katarit.
Pasi i është kërkuar disa herë që të “nxjerrë zbuluar” shtetet të cilat nuk e kanë respektuar embargon e armëve të 2011-s, Guterres tha: “Kishim disa shtete që u bënë bashkë në Berlin që u zotuan se nuk do të dërgonin armë apo të merrnin pjesë në luftime. Tani, e vërteta qëndron se embargo i Këshillit të Sigurisë është shkelur”.
I pyetur për planin e paqes midis Izraelit dhe Palestinës të publikuar nga presidenti SHBA Donald Trump, e cila u prit jo mirë, aq më tepër nga palestinezët, Guterres tha se qëndrimi i OKB-së në procesin e paqes mbetet i njëjtë.
“Jemi tërësisht të angazhuar me zgjidhjen ku përfshihen të dyja shtetet, e bazuar në ligjet ndërkombëtare, e bazuar në rezolutat e Këshillit të Sigurisë dhe Asamblesë së Përgjithshme dhe e bazuar në kufijtë e vendosur në 1967,” tha ai. “Kështu që, është shumë e qartë se në çfarë besojmë ne. Nuk e kemi ndryshuar qëndrimin tonë.”
Sipas kufijve të caktuar më 1967, Izraeli duhet të tërhiqet nga Bregu Perëndimor dhe Jerusalemi Lindor, diçka që politikanët izraelitë nuk e pranojnë.
Duke e kthyer bisedën tek ndryshimet klimatike, Guterres tha: “Një tjetër rreth vicioz po e përkeqëson krizën e klimës”.
“Teksa oqeanet po ngrohen, akujt po shkrihen dhe ne humbasim shërbimin jetik që performojnë shtresat e akullit, duke reflektuar dritën e diellit, kësisoj duke e ngrohur më shumë oqeanin”.
“Dhe teksa akujt shkrihen dhe oqeanet ngrohen, rritet niveli i detit dhe më shumë ujë avullon, duke nxitur edhe më shumë shira, çka cenon qytet bregdetare dhe grykëderdhjet e lumenjve”.