Përçarja e opozitës i ka kaluar kufijtë e Partisë Demokratike. Aleatët tradicionalë të kësaj force politike nuk i janë bashkuar asnjë prej kampeve të PD-së, por kanë krijuar një aleancë të re.
Lëvizja për Zhvillim Kombëtar e Dashamir Shehit, dhe Bindja Demokratike e cila dikur drejtohej nga Astrit Patozi janë bërë bashkë për të krijuar Aleancën Progresiste.
Kreu i LZHK Dashamir Shehi tha se qëllimi i kësaj aleance është sjellja e një vizioni të ri politik, ndryshe nga ai i Sali Berishës dhe Ilir Metës.
“Kjo marrëveshje që po bëjmë ka një objektiv; të bashkojmë energjitë për të rritur përfaqësimin opozitar në Shqipëri. Kjo është një forcë opozitare, do jemi kundërshtarë të qeverisë së Edi Ramës, por me një vizion të ndryshëm nga ai i Berishë dhe Metës”, tha Shehi.
E vetmja rrugë që mund t’i bashkojë, sipas ish-kreut të Bindjes Demokratike, Astrit Patozi është dalja me një kandidat të përbashkët, në të kundërt beteja e tyre në 14 maj do të jenë këshillat bashkiakë.
“Me Berishën dhe metën na ndan një humnerë e tërë sa i përket vizionit. Ajo që mund të na bashkojë është kandidati i përbashkët ku ne i lëmë ndasitë dhe vizionin e ndryshëm politik”, u shpreh Patozi.
Aleancës së tyre i janë bashkuar Partia Lëvizja për Ndryshim, shoqata politike “Po” dhe Lëvizja Studentore Shqiptare ‘90-‘91.
LEXONI GJITHASHTU:
- A e ka hetuar PD për Lulzim Bashën? Ja si përgjigjet Sali Berisha
- Berisha: Nuk është revolucioni i PD-së, por i shqiptarëve