“Shën Tereza në Libra e Pulla”, ishte ekspozita e cila u hap ditën e enjte në ambientet e bibliotekës publike “Qemal Baholli” në Elbasan.
Studiuesi Hysen Dizdari me koleksionin e tij privat risolli në 8-vjetorin e shenjtërimit të Shën Nënë Terezës, pulla që datojnë nga viti 1992-deri në atë 2023.
“Unë si autor i Nenë Terezës me ketë rast kam sjellë në ribotim librin “Shën Tereza në Pulla shqiptare”, që përmban të gjithë koleksionin tim me pulla postare me Fdc, kushtuar kësaj figure madhështore të kombit tonë”, tha Dizdari.
Nënë Tereza është një figurë e cila i tejkalon kufijtë kombëtar. Në një kohë kur globi vijon të jetë i trazuar, figura si ajo do të ishin katalizatorët e vendosjes së paqes.
“Figura e Nënë Terezës është emituar në 140 shtete botërore, me diku 3500 pulla postare. Porosia e Nënë Terezës është universale, globale pikërisht për paqen për kujdesin ndaj të vobektëve, ndaj fëmijëve. Puna, përkushtimi dhe porositë që i ka lënë Nënë Tereza unë mendoj që janë shumë të dobishme për botën nëse i përkushtohen dhe i përmbahen misionit të saj”, u shpreh Mustafa Ibrahimi, dekan i Fakultetit të Shkencave Humane në Shkup.
Shën Nënë Tereza, shqiptarja e famshme, e njohur në të gjithë botën është bërë shenjtore e dashurisë njerëzore me veprën e saj në shërbim të të varfërve, të gjithë njerëzimit, pa dallime, race feje dhe etnie, dhe sot është bërë modeli më i përsosur i respektit , i moralit dhe dashurisë njerëzore në të gjitha vendet e botës.
LEXONI GJITHASHTU:
- 5 vjet nga dita kur Nënë Tereza iu bashkua shenjtorëve
- Shenjtërimi i Nënë Terezës, politika përkujton humanisten shqiptare