Policia e Durrësit ka arrestuar këtë të hënë një 27-vjeçar për veprën penale “plagosje me dashje”, ndërsa dy të tjerë, vëllezër mes tyre, janë gjobitur me nga 10 mijë lekë të reja pasi kanë shkelur orarin e karantinës dhe janë përfshirë në përleshje fizike me të arrestuarin.
Këta shtetas fillimisht janë konfliktuar me njëri-tjetrin, ndërsa bëhet e ditur se personi i arrestuar, ka goditur dy shtetasit e tjerë me thikë duke i lënë të plagosur, por fatmirësisht raportohet se ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Sipas njoftimit të efektivëve të Durrësit, tre të rinjtë janë konfliktuar për motive të dobëta. Ndërkohë policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, gjatë patrullimeve në territor për monitorimin e zbatimit të masave shtesë, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19, kanë konstatuar në Sektorin Rinia, tre shtetas që kishin thyer orarin e karantinës dhe po konfliktoheshin me njëri-tjetrin.Shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë menjëherë duke parandaluar përshkallëzimin e konfliktit dhe prangosur njërin prej tyre, i cili gjatë konfliktit kishte përdorur një mjet prerës duke dëmtuar dy të tjerët.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin E. H., 27 vjeç, banues në Durrës, pasi ky shtetas, pas një konflikti për motive të dobëta ka goditur me thikë dy vëllezërit A. N., 26 vjeç dhe T. N., 30 vjeç, banues në Durrës, pa probleme për jetën. Gjithashtu, shërbimet e Policisë ndëshkuan me masë administrative 10.000 lekë, të dy vëllezërit që kishin shkelur orarin e karantinës”, njofton policia.